Deputeti i PDK-së: Kërkojmë shkarkimin e Pecit, Pacollit dhe të nisin hetimet për skandalin e 100 mijë eurove

Deputeti i PDK-së: Kërkojmë shkarkimin e Pecit, Pacollit dhe të nisin hetimet për skandalin e 100 mijë eurove

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, në një konferencë për media, ka kërkuar shkarkimin e deputetes Fitore Pacolli nga pozita e Kryetare së Komisionit Parlamentar për Bujqësi dhe shkarkimin e Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, dhe që ndaj tij të nisin hetime penale për të verifikuar rrethanat nëse i njëjti ka ndikuar që një vëlla i deputetes të përfitojë rreth 100 mijë euro grant.

Mustafa ka thënë se zbulimi i skandalit të përfitimit të grantit në vlerën rreth 100 mijë euro nga vëllai i deputetes së Lëvizjës Vetëvendosje Fitore Pacolli, përbën vetëm një dëshmi se si zyrtarët më të lartë shtetërorë të këtij pushteti po i shfrytëzojnë dhe i shpërdorojnë institucionet publike për të përfituar ata dhe familjarët e ngushtë të tyre nga paratë e taksapaguesve të Kosovës.

“Ky skandal nuk është aspak i rastësishëm sepse Fitore Pacolli është Kryetare e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, komision të cilit i raporton Ministri i Bujqësisë, Faton Peci. Siç u dëshmua tani më, vëllai i deputetes Pacolli, biznesin e tij e kishte themeluar pas aplikimit për projekt dhe vetëm 4 ditë para nënshkrimit të kontratës, gjë që ngre dyshime të mëdha për montimin dhe orkestrimin e përfitimit të këtij projekti, për motive të cilat duhet të zbardhen nga insititucionet e drejtësisë”, u shpreh Mustafa.

Ai ka thënë se pas zbulimit të këtij skandali, ministri Faton Peci do të duhej të raportonte në Komisionin Parlamentar për Bujqësi, por ngase ka akomoduar interesat e ngushta financiare të familjes së Kryetares së këtij Komisioni Fitore Pacolli, tashmë kjo e fundit nuk e ka kredibilitetin që ta ftojë në raportim ministrin Peci, për shkak të rrethanave të konfliktit të interesit.

“Prandaj, ne kërkojmë shkarkimin e Fitore Pacollit nga pozita e kryetares së këtij komisioni, pasi që konsiderojmë se këtë funksion e ka shfrytëzuar me qëllim të ushtrimit të ndikimit, i cili ka çuar në përfitimin e grantit në vlerë rreth 100 mijë euro nga vëllau i saj. Nga ana tjetër, për ministrin Peci, as dorëheqja e as shkarkimi nuk mjaftojnë. Ndaj tij kërkojmë që të zhvillohen hetime penale për të verifikuar rrethanat nëse i njëjti ka ndikuar që një vëlla i deputetes të përfitojë rreth 100 mijë euro dhe nëse ky përfitim është rezultat i raportit të vartësisë zyrtare që ky ministër e ka me komisionin të cilin e udhëheqë Fitore Pacolli”, deklaroi Mustafa.

Ai ka thënë se skandali thellohet edhe më shumë, kur në të njëjtin afat për grante i është refuzuar përkrahja zonjës Fahrije Hoti, si njëra prej grave heroina të Krushës.

Më tej, anëtari i Kryesisë së PDKsë ka folur edhe për ngutinë e aprovimit të buxhetit të vitit 2025, pa i dhënë deputetëve kohën e paraparë për të propozuar amandamentet e tyre.

“Tash po krijohet dyshimi i bazuar se në buxhetin 2025 kanë kurdisur përfitime të tilla për njerëzit e tyre, pavarësisht faktit se ky pushtet nuk do të jetë aty për ta zbatuar buxhetin e ardhshëm”, u shpreh ai.

Në fund, Arben Mustafa ka thënë se tani kur na ndajnë edhe pak muaj nga zgjedhjet, ky pushtet edhe mund ti ikë përgjegjësisë për të dhënë llogari në Kuvendin e Kosovës, por nuk mund ti ikë llogaridhënies para qytetarëve më 9 shkurt, kur edhe “do të marrin verdiktin e merituar për këto abuzime të njëpasnjëshme”.

Related Articles