Momentalisht, presidenti i Ukrainës, Volodomyr Zelenksy, nuk është duke e shqyrtuar njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Kështu bënë të ditur deputeti i parlamentit të Ukrainës, Oleksiy Goncherenko. Megjithatë, ky i fundit shprehet i bindur se është vetëm çështje kohe derisa Kievi ta njoh pavarësinë e Kosovës.
Ai tutje thotë se është shumë mirënjohës për mbështetjen e pakursyer që po tregon Kosova ndaj Ukrainës.
“Fillimisht dua të them se i jemi shumë mirënjohës Kosovës për mbështetjen që po tregon për ne. Problemi i vetëm qe kemi me Kosovën është se Ukraina akoma nuk ka vendosur që ta njoh pavarësinë e saj, prandaj unë kam propozuar në parlament që gjërat të lëvizin në drejtimin e duhur dhe ne ta njohim pavarësinë e Kosovës. Tani i takon Presidentit Zelenskyy që ta marrë këtë vendim, por momentalisht ai nuk është duke e bërë këtë gjë. Megjithatë unë jam shumë i bindur se kjo të ndodhë herët apo vonë”, tha Goncherenko për Tëvë1.
Gonachrenkos nuk i bëjnë përshtypje deklaratat e zyrtarëve serbë të cilët thonë se Ukraina nuk mund ta njoh pavarësinë e Kosovës.
Sipas tij, kjo çështje i takon vetëm Kievit, ndërsa ka treguar edhe për problemet që Ukraina ka momentalisht me shtetin serb.
“Të gjithë aleatët tanë kryesor e kanë njohur tashmë pavarësinë e Kosovës prandaj pse edhe ne të mos iu bashkohemi atyre. Nuk më interesojnë komentet e zyrtarëve serbë, sepse kjo është çështje e jona. Ne mund të kemi bashkëpunim të mirë me Serbinë edhe nëse e njohim Kosovën sikurse shtetet e tjera Perëndimore. Problemi i jonë në raportet me Serbinë është se kjo e fundit ndikohet shumë nga Rusia”, shtoi ai.
Kujtojmë që edhe pse Kosova nuk njihet nga Ukraina, ajo ka vënë sanksione ndaj Rusisë dhe ka ofruar mbështetje për Kievin.