Policia e Kosovës ka njoftuar se nuk kanë lëshuar dokumente në e-maile për disa qytetarë me thirrjen për “KUJDES: URDHËRI ZYRTARE GJYKATARE”.
Në njoftimin e tyre ata thonë se këto janë e-maile dhe dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara, si dhe kanë nisur hetim për këtë rast.
Këto informacione të dërguara nga kinse zyrtarë të lartë të PK-së, të emërtuar si “KUJDES: URDHËRI ZYRTARE GJYKATARE”, kinse të lëshuara nga “Byroja Qendrore e Hetimit, Qendra Kompjuterike e Krimit Kibernetik, Departamenti i Kërkimit dhe Analizës dhe Drejtoria e Policisë, Republika e Kosovës”, e që kinse janë lëshuar me qëllim të njoftimit të palës së caktuar për urdhër gjykate, nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-maile/dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara”.
“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth qarkullimit të e-maileve/dokumenteve të tilla, ka filluar hetimet intensive, duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale”, thuhet në reagim. /Gazeta Enigma