“Derisa t’i nxjerrim të gjithë”, Biden thotë se trupat amerikane mund të jenë në Afganistan edhe pas 31 gushtit

“Derisa t’i nxjerrim të gjithë”, Biden thotë se trupat amerikane mund të jenë në Afganistan edhe pas 31 gushtit

Presidenti Joe Biden tha të mërkurën se ai është i përkushtuar për të mbajtur trupat amerikane në Afganistan derisa të evakuohet çdo amerikan, edhe nëse kjo do të kërkonte të mbahej një prani ushtarake atje përtej afatit të 31 gushtit.

Presidenti gjithashtu hodhi poshtë kritikat se Shtetet e Bashkuara duhet të kishte bërë më shumë për të planifikuar evakuimin dhe tërheqjen, që është shoqëruar me skena dhune dhe kaosi, ndërsa mijëra vetë u përpoqën të largohen ndërsa talebanët morën pushtetin.

Në një intervistë me George Stephanopoulos të kanalin ABC News, Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë “gjithçka në fuqinë e tyre” për të evakuuar amerikanët dhe aleatët amerikanë nga Afganistani para afatit.

I pyetur në mënyrë të përsëritur se si administrata do të ndihmonte amerikanët që do të mbeten në vend pas 31 gushtit, Presidenti Biden tha, “Nëse kanë mbetur qytetarë amerikanë, ne do të qëndrojmë derisa t’i nxjerrim të gjithë”.

Deri në 15,000 amerikanë janë në Afganistan pasi talebanët morën kontrollin e plotë të vendit fundjavën e kaluar.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha më herët të mërkurën se ushtria amerikane nuk ka forca dhe fuqi luftarake ajrore në Afganistan për të zgjeruar misionin e saj aktual përtej sigurimit të aeroportit të Kabulit për të grumbulluar amerikanët dhe afganët në rrezik diku tjetër në kryeqytet dhe për t’i shoqëruar ata për t’u evakuuar.

Pyetja nëse ata që kërkojnë të largohen nga vendi para afatit të Presidentit Bidenit duhet të shpëtohen dhe të sillen në aeroport, është ngritur mes njoftimeve se pikat e kontrollit të talebanëve kanë ndaluar disa qytetarë të caktuar.

“Unë nuk kam aftësinë për të dalë më tej dhe për të shtrirë operacionet aktuale jashtë Kabulit,” tha sekretari Austin.

Austin, një gjeneral në pension i ushtrisë me katër yje i cili komandoi forcat në Afganistan, foli në konferencën e tij të parë për shtyp në Pentagon që kur talibanët erdhën në pushtet në Kabul të dielën.

Ai tha se Departamenti i Shtetit po dërgonte më shumë oficerë të çështjeve konsullore për të përshpejtuar përpunimin e dokumentave të të evakuuarve.

“Ne nuk jemi aty ku duam të jemi” për sa i përket ritmit të transportit ajror, tha sekretari Austin.

Ai tha se operacionet ishin përqendruar kryesisht në aeroportin, i cili u përball me “një numër kërcënimesh” që duhet të monitorohen.

“Ne nuk mund të mos mbrojmë atë aeroport ose të mos kemi një fushë ajrore të sigurt, ndërsa kemi qindra ose mijëra civilë që mund të hyjnë në aeroport,” tha ai, duke shtuar se bisedimet me talebanët po vazhdonin për të siguruar kalim të sigurt për ata që duhen evakuuar.

Sekretari Austin tha se kishte rreth 4.500 trupa amerikane në aeroport, që ruajnë sigurinë për të mundësuar operacionin e evakuimit të drejtuar nga Departamenti i Shtetit, i cili është shënuar nga kaosi dhe konfuzioni.

Presidenti Biden, megjithatë, i tha rrjetit ABC se nuk kishte asgjë që administrata e tij mund të kishte bërë për të shmangur një kaos të tillë.

“Ideja që mund të kishte një mënyrë për të dalë pa pasur kaos, nuk e di se si mund të kishte ndodhur ndryshe kjo,” tha Presidenti Biden.

Oficerë të lartë ushtarakë amerikanë po bisedojnë me komandantët talebanë në Kabul për pikat e kontrollit dhe orët policore që kanë kufizuar numrin e amerikanëve dhe afganëve që janë në gjendje të hyjnë në aeroport.

Related Articles