Dëshmitari i 46-të në gjykimin ndaj Thaçit e të tjerëve flet për “rrëmbimin e familjarëve”

Dëshmitari i 46-të në gjykimin ndaj Thaçit e të tjerëve flet për “rrëmbimin e familjarëve”

“ZPS-ja thirri dëshmitarin e 46-të në mëngjes në gjykimin Thaçi dhe të tjerët. Dëshmitari dëshmon me pseudonimin Ë00498, por pa ndryshim të fytyrës dhe zërit. Sipas përmbledhjes që ZPS-ja lexoi në sallën e gjyqit, ky dëshmitar do të dëshmojë për rrëmbimin e anëtarëve të familjes në zonën e Rahovecit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar. (ZPS).

Para dëshmisë së këtij dëshmitari, Trupi Gjykues, thuhet se ka lëshuar një urdhër gojor duke urdhëruar avokatin Luka Mishetiqin që të dorëzojë listën e përditësuar të anëtarëve të ekipit mbrojtës të Thaçit deri më 11 mars.

“Trupi Gjykues gjithashtu informoi palët për një seancë shtesë të nesërmen (21 shkurt), e cila do të mbahet pas përfundimit të seancës së rregullt. Sipas njoftimit të Trupit Gjykues sot, kjo seancë do t’i kushtohet caktimit të datave dhe planifikimit për këto procedura”, thuhet në njoftimin e ZPS-së.

ZPS-ja akuzon ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefin e deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ata akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me vrasje, tortura dhe trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën mars 1998– shtator 1999 dhe pjesëmarrje drejtpërsëdrejti në frikësim, marrje në pyetje, keqtrajtim të atyre që i shihnin si kundërshtarë politikë. Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi i kanë mohuar të gjitha akuzat e ZPS-së.

Related Articles