Dëshmitari: Zyra e prokurorit të TPNJ-së kishte bashkëpunuar me Serbinë për çështjet e Kosovës

Dëshmitari: Zyra e prokurorit të TPNJ-së kishte bashkëpunuar me Serbinë për çështjet e Kosovës

Dëshmitari ekspert, Robert Reid, i cili ka punuar si shef i operacioneve në Zyrën e Prokurorit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ka deklaruar se edhe ata kishin bashkëpunuar me Serbinë për çështjet e Kosovës.

“Ne kemi bashkëpunuar me Republikën e Serbisë për shumë gjëra, për çështjet e Kosovës e kështu me radhë”, tha Reid.

Këtë deklaratë ai e ka dhënë në gjykimin e së premtes, në rastin ku për vepra penale që ndërlidhen me administrimin e drejtësisë po akuzohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Sipas tij, Vutkeviq ka qenë prokuror i krimeve të luftës në Serbi dhe shumë herë janë marrë me të për çështjet në Kosovë.

“A keni menduar se me bashkëpunimin është kompromentuar pavarësia hetimore?”, u pyet Reid, për çka tha se nuk mendon se bashkëpunimi e ka kompromentuar hetimin e se Vutkeviq ka provuar t’i ndihmojë disa herë dhe se e ka penguar qeveria e tij.

Tutje, ka konfirmuar se kanë marrë informacione në disa raste nga individë që janë dyshuar për krime lufte.

“Ka ndodhur disa herë në rastin kur vet aktorët e krimit kanë dhënë dëshmi apo informacion, ne pastaj kemi bërë verifikimin e dëshmisë së dhënë për të parë nëse është e vërtetë. Ka disa raste kur të akuzuarit që kanë pranuar krimin, japin dëshmi për eprorët e tyre dhe në fakt bëhet pastaj verifikimi i dëshmisë”, ka thënë Reid.

Duke u përgjigjur në pyetje të prokurores, Valeria Bolicci, dëshmitari ka konfirmuar se në raportin e tij e ka përshkruar operacionin e konfiskimit që në vitin 1997 ka drejtuar në Prijedor dhe se atë pjesë e ka hartuar nga kujtesa e tij, ku nuk i referuar ndonjë dokumenti.

Ai tha se kujtesa e tij nuk është aq e mirë si para 24 viteve, por se ky mision i kujtohet në mënyrë të veçantë. Sipas tij, ky mision i ka ngelur në mendje dhe kujtesë e se kontrolli është bërë në tre ndërtesa, në stacionin e policisë dhe në ndërtesën e bashkisë, e se selia e partisë SDS ka qenë në listën e ndërtesave që duhej kontrolluar. /Gazeta Enigma/.

Related Articles