Për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të prokurorit special Haki Gecaj, është anuluar gjykimi ndaj Enver Sekiraqës, i cili po akuzohet për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se para një dite prokurorit Gecaj e kishte njoftuar gjykatën se ishte infektuar me Covid-19, prandaj sipas tij, ai paraprakisht i kishte njoftuar palët që seanca e së martës nuk do të mbahet.
Në seancën e mbajtur me 19 janar 2022, kishin munguar dëshmitaret Adelina, Zanfina dhe Ema Ismaili, për të cilat gjykatësi Kuqi ka lëshuar urdhëresë për sjellje me anë të policisë.
Ndryshe, në gjykimin e kaluar të mbajtur me 23 janar 2019, ishte paraparë të jap dëshminë e njëjta dëshmitare, mirëpo për shkak se gjykata nuk ka arritur të sigurojë adresën e saj, dëshmia e saj e dhënë në gjykimin pranë gjyqtarëve të EULEX-it ishte lexuar. https://betimiperdrejtesi.com/gjykata-se-din-adresen-e-adelina-ismailit-qe-mungoi-ne-rigjykimin-ndaj-enver-sekiraqes-konsiderohen-te-lexuara-deklarimet-saj-te-mehershme/
Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.
Mirëpo, Gjykata e Apelit me 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.
Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe me 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.
Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.
Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.
Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqen dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.
Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.
Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur me 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.
E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.