Detaje nga takimi i Kurtit me Sarrazinin

Detaje nga takimi i Kurtit me Sarrazinin

Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka bërë të ditur se kreu i qeverisë është takuar sot me përfaqësuesin special të Gjermanisë, Manuel Sarrazin.

Sipas Zulfajt, në takimin mes Kurtit dhe Sarrazinit u fol mbi mundësitë e zhbllokimit të vendimmarrjes në CEFTA.

“Pas tre vitesh bllokadë të Serbisë brenda CEFTA-s, kemi një zgjidhje kompromisi. Serbia tash e ka kushtëzuar këtë zgjidhje me heqjen e masave të sigurisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë. Këto dy çështje nuk janë të ndërlidhura”.

“Masat e Kosovës nuk kanë të bëjnë me tregtinë, por rrjedhin nga kërcënimet ndaj sigurisë së shtetit tonë. Ato nuk janë marrë nga Ministria e Tregtisë, por nga autoritetet tona të sigurisë”, shkroi Zulfaj.

Tutje, ai tha se Kosova është shteti më proaktiv në Procesin e Berlinit dhe sipas tij, Kurti ka promovuar vazhdimisht integrimin e mëtejmë të rajonit.

Edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, në platformën “X” ka shkruar për vizitën në Kosovë, të përfaqësuesit të Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Ai ka thënë se Sarrazin e ka vizituar Kosovën për t’i kërkuar Kurtit të bëjë kompromis për CEFTA-n, por sipas tij, pa sukses.

“Manuel Sarrazin vizitoi sërish Kosovën për t’i kërkuar Albin Kurtit të bëjë kompromis për CEFTA-n, duke mundësuar liritë kryesore për qytetarët e Kosovës, duke zëvendësuar UNMIK-un me Kosovën në bord – pa sukses”, ka shkruar Rohde.

Related Articles