Damjan Kezheviq i priu protestës së serbëve afër pikës kufitare në Jarinjë. Direktivat për këtë tubim të djathtistëve, serbi i ka marrë qysh para 20 ditëve, mijëra kilometra larg. Më 29 nëntor, Kezheviq u ftua në qendrën Wagner në Rusi, në të cilën u fol për, siç u tha, çlirimin e pikëkalimit në Jarinjë.
Wagner njihet si organizatë paraushtarake, e lidhur direkt me presidentin rus Vladimir Putin. E njohur ndryshe edhe si ushtria private e Putinit, kjo është aktive edhe në luftën në Ukrainë.
Por kjo nuk është mbështetja e vetme nga Moska, për serbët që tash e nëntë ditë i kanë bllokuar rrugët në veri të Kosovës. Slogani nazist “Z” tashmë është dizajnuar me hartën e Kosovës.
Ndërsa ata që po qëndrojnë në rrugë, po bartin me vete edhe mjete lufte. Në një video të publikuar nga portali boshnjak, Istraga, shihen persona që mbajnë armë të gjata gjatë qëndrimit afër barrikadave, derisa shikojnë video të presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Ndërsa pranë tyre duken pako të Qendrës Humanitare Ruso-serbe që ndodhet në Nish.
Në veri po qëndrojnë madje edhe pjesëtarë rusë të klubit të motoristëve “Ujqit e natës”. Në xhirimin e tyre, këta e lidhin fitoren e Serbisë me fitoren e Rusisë.
Krejt këto zhvillime, sipas korrespondentes speciale të Kyiv Post, Ivana Stradner, është Rusia që po i përdor si mbështetje për Serbinë, për ta destabilizuar Ballkanin. Kjo thotë që Beogradi duhet të tregohet i mençur që të mos bie pre e kësaj.