Dhunë në një familje në Klinë: Burri i dehur rrah bashkëshorten, përfundon në ndalim

Dhunë në një familje në Klinë: Burri i dehur rrah bashkëshorten, përfundon në ndalim

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre. Ato shpeshherë nuk kanë guxim t’i denoncojnë këto raste në Polici për shkak se përballen me kanosje serioze.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në një familje në rrugën “Abedin Rexha” në Klinë ku një burrë dyshohet se pas një mosmarrëveshje ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se gruaja ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi u përballë me presionin nga burri i saj, i cili ka krijuar frikë dhe shqetësim duke qenë edhe në gjendje të dehur.

Bazuar në dëshminë e saj, rasti ka ndodhur në shtëpinë e tyre, të martën në orët e mbrëmjes.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku është përballur me denoncimin kundër tij.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të njëjtit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”.

Related Articles