Dialogu pa rrugëdalje, kërkohet riformatim i tij pas sulmit terrorist në veri

Dialogu pa rrugëdalje, kërkohet riformatim i tij pas sulmit terrorist në veri

​Dialogu Kosovë-Serbi ka mbetur në qorrsokak pas sulmit terrorist më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, vlerësojnë në shoqërinë civile dhe analistë politikë.

Sipas tyre, dialogu dhe marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit është kthyer përmbysë pas sulmit direkt ndaj sovranitetit dhe kushtetutshmërisë së Kosovës. Ata thonë se dialogu duhet të vazhdojë pas sanksionimit të Serbisë nga bashkësia ndërkombëtare dhe kur të bëhet një riformatim i tij dhe të ndryshojë qasja e BE-së në dialog ndaj Kosovës.

Hulumtuesi në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Arbër Fetahu, thotë për KosovaPress se pas zhvillimeve në veri nuk pret kthim të shpejtë në tavolinën e bisedimeve në dialog.

Ai kërkon nga institucionet e Kosovës të paraqesin kërkesat e qarta për rifillimin e dialogut pas sulmit të grupit të armatosur terrorist në veri, i cili sipas tij, ka qenë i mbështetur nga Serbia.

Ndërkaq, analisti politik, Seb Bytyçi, thotë se pas sulmit terrorist në veri dialogu nuk mund të vazhdohet më njësojë sikur në të kaluarën.

Ai kërkon nga Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja të ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës në dialog dhe të shohin vërtetë se cila palë është destruktive.

Më 24 shtator një grup i armatosur terrorist ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe tre sulmues.

Në lidhje me ngjarjen, u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan në mungesë provash.

Në Bashkimin Evropian kanë thënë se do të presin hetimin e plotë përpara se të marrin ndonjë vendim për sulmin në Banjskë.

Po ashtu, pas sulmit në veri, zyrtarët ndërkombëtare, përfshirë emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ka kërkuar rifillimin e shpejtë të dialogut.

Related Articles