Me fillimin e lehtësimit të masave kundër pandemisë COVID-19, mërgata e Kosovës ka filluar ta shtoj fluksin e ardhjes në vendin tonë, raporton Gazeta Enigma
Sipas zëdhënëses së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara brenda dy javëve janë realizuar 287 fluturime me 41 mijë e 662 udhëtarë.
“Nga data 7 deri 13 qershor janë 137 fluturime me 19 mijë e 750 udhëtarë në arritje dhe 18 mijë e 168 udhëtarë në shkuarje. Ndërsa, nga data 14 deri 20 qershor janë realizuar 150 fluturime me 21 mijë e 912 udhëtarë në arritje dhe 17 mijë e 517 udhëtarë në shkuarje”, tha për Telegrafin, Gara.
Po ashtu, mërgata vazhdon të jetë njëri nga burimet kryesore të financimit të shpenzimeve familjare në Kosovë. Që nga shpallja e pavarësisë, dërgesat e tyre kanë vazhduar të shënojnë rritje.
Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se brenda kësaj periudhe janë dërguar 12.6 miliardë euro.
Vlera më e madhe e remitencave është ajo e vitit 2020, ku pavarësisht pandemisë COVID-19 mërgata ka dërguar 1.18 miliard euro.
Ndryshe, nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, të cilët i janë përgjigjur regjistrimit është rreth 350 mijë.