Ndonëse ka ndryshuar kategorinë në vjeshtën e vitit të kaluar, xhudistja Distria Krasniqi tashmë është prej më të ranguarave në kategorinë e re, atë deri 52 kilogramë.
Ranglista është përditësuar të premten, pas përfundimit të Mastersit në Jerusalem. Distria me medaljen e artë në Masters mori 1800 pikë në ranglistë. Tani është e treta në ranglistë me 5870 pikë. Para saj janë vetëm Chelsie Giles e Britanisë së Madhe me 6190 pikë dhe Reka Pupp e Hungarisë me 6015 pikë. Por nuk do të jenë shumë gjatë.
Me ecurinë aktuale, Distria shpejt do të jetë e para në ranglistën botërore në kategorinë e saj. Ajo për kohë të gjatë ishte e para në ranglistën botërore në kategorinë deri 48 kilogramë. Dhe pas ndryshimit të kategorisë është dashur të ngrihet gradualisht në renditje. Prej publikimit të parafundit ka përparuar për katër pozita.
Përparim dukshëm më të madh ka shënuar Laura Fazliu. Ajo fitoi medaljen e argjendtë në Masters dhe mori 1280 pikë. Laura ka përparuar për plot 11 pozita në kategorinë deri 63 kilogramë. I ka 2492 pikë dhe renditet e 21-ta. Edhe Laura shpejt pritet të jetë lart në ranglistë. Pas medaljes së argjendtë në Evropian dhe në Mastersin e këtij viti, shpërthimi i madh i Laurës pritet edhe në vitin e ardhshëm.
Nora Gjakova është e teta në ranglistën botërore të xhudos, në kategorinë deri 57 kilogramë. Nora ishte e pesta në Masters, por kjo pozitë nuk i mjaftoi për të ruajtur vendin në ranglistë. Para Mastersit ishte e shtata.
Nora ka munguar plot 15 muaj nga garat për shkak të një lëndimi të krahut. Është kthyer vetëm në tetor, ndërsa është paraqitur në tri gara këtë vit. Është çështje kohe para se Nora të jetë prej më të ranguarave në kategorinë e saj. Ajo është kampione olimpike në fuqi.
Për shkak të mungesës së gjatë nga garat, Akil Gjakova ka rënë në vendin e 35-të. Së fundi ka humbu dy pozita. Ai garon në kategorinë deri 73 kilogramë.
Loriana Kuka ka mbetur e 20-a në ranglistën e kategorisë deri 78 kilogramë. Ajo dështoi të lërë gjurmë në Masters, duke u ndalur në luftën e parë. Edhe Loriana po e kërkon formën pas mungesës për shkak të lëndimit.