Nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës thuhet se është një afat kohor deri kur duhet të hiqen barrikadat nga rrugët e veriut. Sipas një prej këshilltarëve të Kurtit, nëse ato s’largohen do të veprojë Policia e Kosovës, në koordinim ne KFOR-in.
Kosova vendosi t’i shtyjë zgjedhjet për komunat veriore, sipas kërkesës së ndërkombëtarëve, dhe pas tensionimit të situatës në veri të vendit. Këtë herë, pushteti serb, që vepron përmes Listës Serbe, nuk urdhëroi heqjen e barrikadave nga rrugët.
Presidenti serb, Aleksandër Vuciq, madje thotë se ato nuk janë vendosur me urdhër të tij.
Diplomacia perëndimore ka bërë thirrje që të hiqen barrikadat, duke e fajësuar Serbinë për tensionimin e veriut dhe retorikën e përdorur. As pas katër ditësh ato nuk janë larguar.
Por, nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, thuhet se heqja e barikadimeve në rrugët e veriut e ka një afat. Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit, thotë se ato duhet të hiqen, para se të veprojë policia. Sipas tij, kjo bëhet duke u bashkërenduar me forcat e KFOR-it.
“Sigurisht që iu është dhënë afat dhe kohë që ato të hiqen para se të veprojë policia e Kosovës e cila duhet pastaj të hapë rrugën në mënyrë që të mundësohet liria e lëvizjes dhe i është dhënë hapësira KFOR-it në mënyrë që ata fillimisht të kryejnë këtë mision dhe nuk është…sigurisht që ka një afat po kjo po bëhet në mes të autoriteteve të qeverisë së Kosovës dhe misionit të KFOR-it”, ka thënë Zulfaj të hënën mbrëmë në Interaktiv.
Barrikadat në veri të vendit u vendosën si shenjë revolte për zgjedhjet që ishin caktuar të mbaheshin më 18 dhjetor, në katër komunat, ku kryetarët që vinin nga Lista Serbe ishin dorëhequr më herët.
Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, është lajmëruar dje me një video nga fshati Rudarë i Zvecanit. Ai po fliste nga rruga, ndërsa nuk kishte kapur pjesën e barrikadave.
“Ne duam vetëm paqe, s’duam asgjë të huajën, duam ta ruajmë vetëm atë që është e jona dhe familjet tona. Këto nuk janë aksione të popullit serb këto janë reaksione ndaj hapave të njëanshëm të Prishtinës. Ne kërkojmë paqe, arsye para së gjithash nga Prishtina dhe lirimin e serbëve të burgosur pa asnjë bazë dhe që Albin Kurti t’i tërheq të gjitha njësitë që i ka dërguar në veri. Pra, të ndalë maltretimin ndaj fëmijëve tanë dhe të ndalet gjahu ndaj serbëve”, tha Rakiq.
Rrugët janë bllokuar kryesisht me automjete.
Para vendosjes së barrikadave ishin kryer disa sulme ndaj policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të EULEX-it, të cilat i kanë dënuar ndërkombëtarët. Policia e rendit e ka shtuar prezencën në pjesën veriore të vendit.