Subjektet politike në Kosovë si asnjëherë më parë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit kanë vendosur që fushatat e tyre të jenë digjitale dhe jo-konvencionale.
Vendimi i subjekteve politike thuhet se është marrë për shkak të gjendjes alarmante me pandeminë COVID-19 në vend.
Fushata zgjedhore ka filluar zyrtarisht me 16 shtatorë.
Tri partitë opozitare që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës kanë bërë adresimet e tyre përkatëse online gjatë ditës së parë të fushatës.
PDK “Bashkë për Kosovën”
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka hapur fushatën zgjedhore të premten e 16 shtatorit, përmes platformës online të teknologjisë informative.
Kjo formë e hapjes së kampanjës u bë për shkak të gjendjes së rëndë pandemike të krijuar kohëve të fundit vend.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, nëpërmjet një video-adresimi, ka thënë se PDK do ta shpalosë projektin e vet politik para qytetarëve në përputhje me rrethanat e rënda, të krijuara nga pandemia COVID-19 të cilën situatë e ka rënduar edhe më tej keq-menaxhimi i Qeverisë.
Ai ka thënë se po të ishin rrethanat normale fushata do të bëhej si në të kaluarën.
“Kjo fushatë për zgjedhjet e 17 tetorit, e cila po fillon sot, në rrethana normale do të dukej ndryshe. Do të ishim bashkë, do t’ia shtrëngonim dorën njëri-tjetrit, e nga afër do ta ndanim vizionin për të ardhmen e një Kosove që na bashkon të gjithëve në nevojën për t’i transformuar qytetet tona. Por, Kosova nuk po kalon në rrethana normale. Kosova po kalon ditë të rënda, për shkak të pandemisë”, tha ai.
Krasniqi u bëri thirrje kandidatëve të PDK-së, strukturat partiake dhe mbështetësit të tyre, që të mos organizojnë tubime elektorale masive, por të respektojnë masat mbrojtëse dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore.
Koncepti i PDK-së sipas Krasniqit do të jetë koncepti triumfues sepse ky është koncepti që i duhet komunave dhe qytetarëve.
“Ju siguroj se koncepti ynë politik e reformues, që i duhet komunave të Kosovës sot më shumë se kurrë, do të arrijë te secili qytetar. Sepse, koncepti politik i PDK-së për komunat e Republikës së Kosovës është domosdoshmëri dhe emergjencë. Së bashku, do ta vëmë në jetë potencialin e zhvillimit, kundër stagnimit që kemi parë këto katër vjet në shumicën e komunave”, tha Krasniqi.
Krasniqi tha se PDK është reformuar dhe se në këto zgjedhje ka hy me njerëzit më kompetent.
Ai ka thënë se ditët në vijim “kandidatët e PDK-së do të ndajnë me ju plane konkrete që këtë mision e bëjnë të mundur”, me ç’rast ka kërkuar besimin e qytetarëve.
PDK në këto zgjedhje ka hy me sloganin “Bashkë për Kosovën” dhe ka numrin 177.
LDK “Për të gjithë”
Njëjtë si PDK edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) hapjen e fushatës e ka bërë në mënyrë digjitale.
17 tetori është dita kur duhet refuzuar populizmi tha kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në hapje të kampanjës.
“Prandaj më 17 tetor refuzoni popullizmini. Fjalët e thata s’bëjnë punë. Popullistët kanë marr mjaftë e s’po mund t’i dalin vendit zot”.
Vota për LDK-në me 17 tetor sipas Abdixhikut është votë për të ardhmen e qytetarëve.
Kandidatët për kryetarë komunash nga LDK, sipas Abdixhikut janë të denjë për të udhëhequr me qytetarët.
“Më 17 tetor ju vendosni për të ardhmen tuaj … vendosni për rrugët, për shkollat tuaja, për çerdhet tuaja, për fëmijët e familjet tuaja. Vendosni për shëndetin dhe mirëqenien tuaj, për mënyrën se si komuna juaj do të duket për katër vjet rresht”.
Abdixhiku duke dhënë arsye që sipas tij qytetarët duhet të votojnë LDK-në, paralajmëroi rikthimin e partisë që ai drejton në nivel vendi.
LDK ka zgjedhur bashkëpunimin në vend të arrogancës tha kryetari i saj.
Në fund të hapjes së kampanjës, Abdixhiku kritikoi partinë në pushtet, por “grepa” lëshoi edhe në drejtim të partive opozitare.
Nëpërmjet një lidhje direkt Abdixhiku bëri edhe prezantimin e kandidatëve për kryetar të komunave.
Ky subjekt garon me numrin 160 dhe me sloganin “Për të gjithë”.
Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka vendos që fushatën e saj zgjedhore ta bëjë vetëm pesë ditë.
Këtë e ka bërë të ditur lideri i këtij subjekti politik, Ramush Haradinaj, me anë të një video-mesazhi.
Zvoglimi i fushatës sipas Haradinajt është bërë për ruajtjen e shëndetit.
“Shëndeti është mbi të gjitha, me qenë se nuk do të kemi mundësin që të takohemi si herëve të tjera që të bashkëbisedojmë dhe po ashtu të paraqesim programin tonë zgjedhorë të Aleancës dhe njëkohësisht të prezantojmë kandidatët tonë” për kryetar komune dhe për asamble komunale”.
Ai ka thënë se programi i Aleancës nëpër komuna bazohet në qeverisjen me qytetarin “është programi i duhur për ta kthyer jetën dhe normalizimin ekonomik nëpër komuna”.
Haradinaj tutje ka thënë se kandidatët e këtij subjekti politik janë njerëz me dinjitet dhe se ka kërkuar votën e qytetarëve për ta.
“Aleanca është me qytetarin edh enë kohë të vështira edhe në kohë të mira”, ka thënë Haradinaj duke siguruar se “ne do jemi bashkë” me numrin 121.
Ky subjekt politik nuk dihet ende me ç’farë slogani garon në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, ndërsa në faqen e këtij subjekti politik nuk ka ndonjë informatë, madje lajmi i fundit në faqe është i vitit 2019.
Ndërsa partia më e madhe në vend e cila është në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk ka shpalosur programin e saj dhe ende nuk dihet cili është slogani i këtij subjekti politik. As në faqen e saj zyrtare nuk ka ndonjë informacion.
Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet lokale te 17 tetorit garon me numrin 144.