Dita Ndërkombëtare e OKB-së

Dita Ndërkombëtare e OKB-së

Kombet e Bashkuara janë organizata ndërkombëtare më e madhe dhe e rëndësishme në botë, e themeluar më 1945.

Qëllimi kryesor i OKB-së është të forcojë bashkëpunimin midis kombeve, të nxisë zhvillimin ekonomik dhe të ruajë paqen dhe sigurinë globale, shkruan GazetaEnigma.

Ajo pasoi Lidhjen e Kombeve, duke sjellë një strukturë dhe anëtarësi më të gjerë. Iniciativa për krijimin e saj erdhi nga fuqitë kryesore të koalicionit antifashist, si SHBA dhe Britania e Madhe, që në Kartën e Atlantikut të 14 gushtit 1941, përcaktuan bazat për një rend të ri botëror dhe siguruan që pas Luftës së Dytë Botërore të krijohej “një sistem i qëndrueshëm i sigurisë së përgjithshme”.

Më 1 janar 1942, përfaqësuesit e 26 vendeve antifashiste nënshkruan një deklaratë që theksonte nevojën për një paqe të qëndrueshme dhe për siguri brenda kufijve kombëtarë.

Në tetor 1943, gjatë Konferencës së Moskës, u vendos që kjo organizatë të quhej Kombet e Bashkuara. Kjo ide u konkretizua më tej në Dumbarton Oaks (gusht-shtator 1944), ku u përcaktuan parimet dhe funksionet e saj.

Më pas, në Konferencën e Jaltës (shkurt 1945), liderët Roosevelt, Stalin dhe Churchill ranë dakord për krijimin e OKB-së, duke hapur rrugën për përfshirjen e të gjitha kombeve, të mëdhenj e të vegjël.

Në Konferencën e San Franciskos (25 prill – 26 qershor 1945) morën pjesë shtetet që kishin luftuar kundër Gjermanisë naziste. Aty u miratua Karta e Kombeve të Bashkuara, duke pranuar se Lidhja e Kombeve kishte dështuar në parandalimin e Luftës së Dytë Botërore.

Karta hyri në fuqi më 24 tetor 1945, datë që sot shënohet si Dita Ndërkombëtare e OKB-së./GazetaEnigma/

Related Articles