Ditëlindja ndryshe e Thaçit në Hagë

Ditëlindja ndryshe e Thaçit në Hagë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, feston ditëlindjen e 53-të. Ndryshe nga çdo vit, Thaçi këtë ditëlindje do ta kalojë në burg, vetëm, pa familjen pranë.

Që nga nëntori i vitit 2020, ai po mbahet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Nga viti 2007, Thaçi ka shërbyer në dy role të rëndësishme drejtuese të vendit.

Pas fitores së Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, Thaçi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Kosovës, më 9 janar 2008.

Më vonë në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura në Kosovë më 12 dhjetor 2011 fiton PDK-ja në krye me Hashim Thaçin dhe përsëri rizgjidhet kryeministër për mandatin 2011-2014.

Përpos postit si kryeministër i vendit, Thaçi ka shërbyer dhe si president i vendit.  Ai u zgjodh President i Kosovës në shkurt të vitit 2016, dhe mori detyrën më 7 prill 2016.

Më 24 qershor  të vitit 2020 Hashim Thaçi është akuzuar nga Gjykata e Hagës për krime lufte.

 Aktakuza

Konfirmimi i aktakuzës, erdhi fillimisht nga ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Në 5 nëntor 2020, ai dha zyrtarisht dorëheqjen nga pozita e tij si president, pikërisht për këtë shkak.

“Nuk mund të lejoj që përpara drejtësisë, të dalë Presidenti i Republikës”, deklaronte Thaçi në një konferencë të jashtëzakonshme.

Të përfshirë në aktakuzë ishin edhe tre ish funksionarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Kadri Veseli, ish Kryetari i Kuvendit të Kosovës, u tërhoq nga çdo aktivitet politik për të shkuar në Hagë.

Rexhep Selimi, ish epror në UÇK, ishte gjithashtu i akuzuar. Listën e përmbyllte ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Ky i fundit, gjatë luftës, ka qenë zëdhënës në UÇK.

Katër ditë më pas, Thaçi u paraqit përpara gjykatësve dhe hodhi poshtë çdo akuzë të pretenduar ndaj tij. Binte në sy fakti se dy akuzat kryesore, ishin hequr nga kërkesa. Ato përfshinin vjedhjen e organeve dhe rastin e “Shtëpisë së Verdhë”.

Krasniqi bëri bujë me daljen e tij përpara akuzës. Ai e quajti gjithë situatën të inskenuar nga Beogradi. Me lot në sy, Krasniqi do të deklaronte:

“Kemi luftuar kundër pushtuesit dhe ju na trajtoni si ndërmarrje kriminale. Këto aktakuza kërkojnë të ndajnë Kosovën në bazë të feve. Unë jam jo fajtor, nuk di si ta them ndryshe. Nuk jam as katolik e as mysliman, jam shqiptar”.

Related Articles