Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Një rast i rëndë ka ndodhur sot në Shkabaj, ku një 41-vjeçar po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij 68-vjeçar.
Sinjali mëson se viktima e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se pas një konflikti me të birin, i dyshuari e ka sulmuar fizikisht derisa ishin në lëvizje me veturë.
Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në lëvizje, por s’ka arritur ta arrestojë të dyshuarin, pasi i njëjti është arratisur.
Sipas të njëjtave burime, i dyshuari është emër i njohur për organet e rendit, pasi është recidivist i veprave penale.
Me t’u përfunduar procedurat policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti si ‘Dhunë në familje’.