Largimi i Leo Messit nga Barcelona në mes të krizës ekonomike la një boshllëk të madh në ekipin “blaugrana”. Ka nga ata që shpëtimin e klubit e shohin te “rivali” më i madh i futbollit, që “ylli” argjentinas ka pasur gjatë karrierës së tij.
Në një program televiziv, ish-kandidati për president të Barcelonës, Toni Freixa (trimfoi Laporta), u pyet për një transferim të mundshëm të Cristiano Ronaldos në “Camp Nou” dhe përgjigja e tij ishte befasuese: “Nëse ka një moment për ta bërë këtë çmenduri, është tani…”
Tonio Freixa ka folur për rikthimin e Xavi Hernándezit te Barça, këtë herë si trajner. Me prezantimin e trajnerit të ri, janë vendosur rregulla të reja, ku përfshihen edhe gjoba të majme.
“Xavi nuk vjen me idenë për të vendosur gjoba dhe për të përndjekur lojtarët. Ai dëshiron t’i bindë ata për një ide, t’i bëjë ata të luajnë në një mënyrë, t’i bëjë të kënaqen.”
Kjo është arsyeja pse ish-kandidati për president beson se emërimi i Xavit do të sjellë rezultate:
“Nuk mendoj se do të ketë një luftë mes trajnerit dhe lojtarit”.
/Gazeta Enigma/