Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, ka thënë se me koeficientin që u bë publik sot është zvogëluar hendeku ndërmjet sektorëve.
Ai tha se deri më tani paga më e lartë në sektorin publik ka qenë 20 herë më e lartë sesa ajo më e ulëta, ndërsa tani është vetëm 4.78 herë.
“Në BE, diku mesatarja është diku 7 herë, kurse ne si qeveri socialdemokrate kemi premtuar që do të sjellim drejtësi dhe këtë po e bëjmë përmes këtij projektligji”, është shprehur Dobra.
Dobra tha se pa hy ende ligji i ri në fuqi, janë 8 mijë e 113 zyrtarë që e kanë pagën më të lartë sesa mjeku specialist, ndërsa sipas tij, kur të hyjë ligji i ri në fuqi, do të jenë vetëm 2 mijë e 294 zyrtarë me pagë më të lartë.
“Aktualisht janë 52 mijë zyrtarë që e kanë pagën më të lartë sesa polici i lartë ndërsa kur të hyj ligji në fuqi, pagën bazë do ta kenë më të lartë vetëm 17 mijë zyrtarë”.
“Paga mesatare në sektorin publik, pa hy në fuqi ligji i ri, është 659 euro ndërsa kur të hyjë në fuqi ligji i ri, paga mesatare do të jetë 768 euro. Pra, kemi një rritje prej 110 euro në përgjithësi. Janë gjithsejtë 105 milionë euro shtesë për paga dhe mëditje”, është shprehur Dobra në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se buxheti i sivjetmë i alokuar për paga është 745 milionë euro, që sipas tij, është më i madhi në historinë e Kosovës.