Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, ka takuar dje në Beograd presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq.
Pas takimit, presidenti i Serbisë ka njoftuar në Instagram dhe ka thënë se në takim janë diskutuar për temat ekonomike, projektet infrastrukturore, migrimin ilegal, por edhe mundësitë globale dhe rajonale.
“Një bisedë e mirë dhe gjithëpërfshirëse për bashkëpunimin mes Serbisë me Aleksandar Vuçiqin. Realizimi i projekteve infrastrukturore, ndër të cilat më e rëndësishmja është lidhja autostradë dhe hekurudhore, si dhe aktivitetet në projekte të përbashkëta energjetike, ishin temat e takimit, tha Dodik.
Ai tha se një nga temat ishte problemi i mërgimtarëve.
“Biseduam edhe për ngjarjet aktuale politike në botë dhe rajon. Një nga temat me ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili mori pjesë në takim, ishte problemi i migrantëve”, tha ai.
Takimi vjen një ditë pasi drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës në SHBA (CIA), William Burns, qëndroi në Beograd. Paraprakisht, ai vizitoi edhe Sarajevën.
Askush prej zyrtarëve në Serbi dhe në SHBA nuk e konfirmoi e as mohoi vizitën e Burnsit, ndërsa nga CIA i thanë Radios Evropa e Lirë se “nuk e komentojnë orarin e udhëtimeve të drejtorit”. Në Sarajevë, Burns u takua me kolegë nga komuniteti i inteligjencës, me anëtarë të Presidencës, si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnje e Hercegovinës.