Presidenti i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur (SNSD) dhe udhëheqësi i entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë, Milorad Dodik, ka reaguar me tone të ashpra ndaj bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, duke e cilësuar atë si një zhvillim që, sipas tij, dëmton stabilitetin në rajon.
Në një postim në rrjetin social X, Dodik pretendoi se bashkëpunimi i tri vendeve është i drejtuar kundër serbëve dhe Serbisë, duke përfshirë edhe Republikën Srpska.
“Aleanca ushtarake midis Zagrebit, Tiranës dhe Prishtinës dëmton drejtpërdrejt stabilitetin dhe paqen në Bosnje dhe Hercegovinë”, shkroi ai.
Megjithatë, deklaratat e Dodikut janë parë nga shumë analistë si pjesë e një retorike të vazhdueshme nacionaliste që shpesh përdoret për tensionimin e marrëdhënieve rajonale dhe për delegjitimimin e çdo bashkëpunimi që përfshin Kosovën.
Dodik shkroi se një koncept i tillë, sipas tij, po e dëmton Bosnjën dhe Hercegovinën.
“Çdo manifestim i një koncepti të tillë dhe mbështetja e boshnjakëve dhe kroatëve ndaj një ideje të tillë e shkatërron Bosnjën dhe Hercegovinën copë-copë”, deklaroi ai.
Në të njëjtin reagim, ai përmendi edhe iniciativën “Ballkani i Hapur”, duke pretenduar se populli serb ka dëshmuar përkushtim për stabilitet rajonal përmes projekteve ekonomike dhe të bashkëpunimit.
“Ndërsa ne ofruam ekonomi, lidhje dhe stabilitet, të tjerët padyshim zgjodhën grupimin dhe shoqatën ushtarake kundër njëri-tjetrit”, tha Dodik, duke shtuar se serbët janë të gatshëm të mbrojnë interesat e tyre.
Megjithatë, marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë nuk është një aleancë ushtarake kundër ndonjë shteti, por një mekanizëm bashkëpunimi për forcimin e sigurisë rajonale dhe koordinimin në fushën e mbrojtjes.
Ministrat e mbrojtjes të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës në mars të vitit 2025 nënshkruan në Tiranë Deklaratën e Përbashkët për bashkëpunim në mbrojtje dhe siguri, me synim rritjen e koordinimit, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
