Portieri i Italisë, Gianluigi Donnarumma, ka paralajmëruar Paris Saint-Germainin se duhet të zgjedhë mes tij dhe rivalit për numrin një të portës, Keylor Navas, për edicionin e ardhshëm, shkruan AFP të premten.
Donnarumma iu bashkua PSG-së vitin e shkuar për t’u bërë kolegë me veteranin Navas, i cili ka qenë pjesë e ekipit francez prej vitit 2019, kur u largua nga Real Madridi. Donnarumma në Paris u transferua si lojtar i lirë pasi i skadoi kontrata me Milanin. Por kalimi u bë me bujë të madhe duke pasur parasysh se sapo kishte triumfuar me Italinë në Kampionatin Evropian dhe ishte zgjedhur lojtari më i mirë i turneut. Edhe pse pranoi se “raportet i ka shumë të mira” me Navasin, Donnarumma ka insistuar se nuk vjen në konsideratë që sezonin e ardhshëm ta ndajë portën me të. Ai dëshiron që të jetë numri një i PSG-së.
“Jo, nuk vjen në konsideratë. Nuk mendoj se do të ndodhë një gjë e tillë pasi klubit do t’i duhet të bëjë një zgjidhje përfundimtare për portën”, është shprehur Donnarumma. “Ne kemi marrëdhënie të mira mes vete dhe e kuptojmë plotësisht. Ky sezon ka qenë i vështirë si për mua ashtu edhe për të, por disi e kemi menaxhuar”.
Donnarumma ka thënë se në asnjë rrethanë nuk e ka menduar largimin nga PSG-ja. Ai me bindje të plotë ka theksuar se do të jetë pjesë e ekipit edhe për edicionin e ardhshëm. Italiani ka kontratë deri në vitin 2026, të cilën synon ta respektojë deri në fund.
23-vjeçari këtë edicion e fitoi titullin e parë të kampionit me PSG-në, ndërsa për Navasin ishte i dyti në Francë. Para se t’i bashkohej PSG-së, Navas ka fituar titull në La Liga dhe tre trofe të Ligës së Kampionëve me Real Madridin.
“Është ndjenjë e mirë ta fitosh titullin e parë në Francë dhe jam shumë i lumtur për këtë. Po ashtu ky është trofeu i parë për mua me fanellën e PSG-së. Jam shumë krenar që jam pjesë e një klubi të madh i cili është ambicioz dhe gjithmonë lufton për trofe”, është shprehur Donnarumma.
Ai ka pranuar se ky edicion tek ekipi francez nuk ka qenë aspak i lehtë dhe ka ndier presion për faktin se te PSG është transferuar si kampion evropian.
“Edicioni debutues ishte shumë i vështirë. Ishte i pari për mua jashtë Italisë, në një klub të ri dhe qytet të ri. Natyrisht që ka pasur presion, por e kam pasur gjithmonë përkrahjen e klubit dhe bashkëlojtarëve”, shtoi Donnarumma, i cili qëndroi për gjashtë vjet te Milani. “E di që mund të bëjë paraqitje edhe më të mira, por nuk kam luajtur në shumë ndeshje, ndoshta në gjysmën prej tyre dhe nuk ishte e lehtë. Duke pasur parasysh atë që e kam përjetuar, nuk kam mundur ta jap maksimumin, por jam i bindur se edicionin tjetër do t’i jap shumë më shumë këtij ekipi”.
Donnrumma ka folur edhe për dështimin e PSG-së në Ligën e Kampionëve dhe atë të Italisë për t’u kualifikuar në Kampionatin Botëror “Katari 2022”. PSG-ja në Champions u eliminua në 1/8 e finales nga Real Madridi, ndërsa Italia dështoi në garat e plejofit. Për Italinë ishte hera e dytë rresht që nuk arriti të kualifikohej në Botëror.
“Ishte shumë, shumë vështirë. Sidomos ditët pasuese ishin të papërballueshme për mua, por nuk ka kthim prapa. Ajo që bëmë me Italinë në Evropian do të mbetet në histori. Mirëpo për fat të keq nuk do të jemi në Botëror. Parisi ka merituar të shkojë më larg në Ligën e Kampionëve, gjë që besoj se do ta bëjë edicionin e ri”, tha Donnarumma.