Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, i ka dorëzuar kryeministrit, Albin Kurti, raportin e fazës së parë të rishikimit të teksteve shkollore.
Gjatë një takimi të mbajtur dje lidhur me këtë çështje, Kurti ka thënë se rishikimi i teksteve është vendimtar për cilësinë e arsimit dhe edukimit.
“Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci i ka dorëzuar Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, raportin e fazës së parë të rishikimit të teksteve të gjuhës shqipe dhe matematikës në takimin e mbajtur dje. Aty të pranishëm ishin edhe zëvendësministri, Taulant Kelmendi, përfaqësues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, zyrtarë të MAShTI-it dhe anëtarë të Këshillit të Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore-KEPShT. Kryeministri Kurti me këtë rast ka thënë se tema e këtij takimi është çështje thelbësore për arsimin, pasi rishikimi i teksteve është vendimtar për cilësinë e arsimit dhe edukimit, ku me kërkesë të MAShTI-it ka filluar procesi i rishikimit të 38 teksteve, 21 të gjuhës shqipe dhe 17 të matematikës”, thuhet në komunikatë.
Sa i përket raportit të përgatitur, kryeministri ka vlerësuar se ai paraqet një bazë të mirë për korrigjimin dhe avancimin e teksteve mësimore.
“Shpresojmë dhe besojmë se ky raport do të nxisë debat publik të mësimdhënësve, prindërve, nxënësve, ekspertëve të arsimit dhe të gjithë atyre që e kuptojnë që ardhmëria e vendit tonë varet nga ngritja e cilësisë së arsimimit dhe të edukimit”, ka deklaruar Kurti.
Ndërkaq, tutje thuhet se Nagavci ka bërë të ditur se tekstet e gjuhës shqipe dhe matematikës janë zgjedhur duke pasur parasysh rezultatet e testit PISA.
Procesi i rishikimit të teksteve shkollore udhëhiqet nga Këshilli i Ekspertëve për Tekste Shkollore dhe Planprograme Mësimore i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë dhe vendorë