Milovan Drecun, kreu i Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovë-n, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po i zbaton qëllimet perëndimore por me taktika të ndryshme.
“Ne ende nuk e kuptojmë se Perëndimi politik është ende në luftë me Serbinë dhe se gjithçka që po ndodh tani është një vazhdim i bombardimeve kriminale të Serbisë, por i mbështjellë me një mbulesë tjetër”, tha Drecun në ‘TV Pink’.
“Kurti është një mjet dhe një instrument për zbatimin e kërkesave dhe interesave përfundimtare perëndimore. Dallimi i vetëm midis Prishtinës dhe Perëndimit sot qëndron në disa lëvizje taktike, ndërsa gjithçka tjetër është diçka e përbashkët”, deklaroi ai.
Drecun, tha se Perëndimi dhe Kosova kanë synim që Serbia të njohë Kosovën.
“Kurti nuk po e fsheh këtë, ai dëshiron ta fusë atë shtet të rremë edhe në OKB, sepse pa këtë, ata në asnjë mënyrë nuk mund të kenë një shtet në kapacitetin e tij të plotë në aspektin e ligjit ndërkombëtar dhe nuk mund ta bëjnë këtë pa arritjen e një lloj marrëveshjeje përfundimtare me Beogradin”, tha Drecun.