Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Sami Mazreku, ka thënë se Qeveria do të subvencionojë polisën e sigurimeve vetëm për vetura dhe motoçikleta.
Ai tha se kjo pagesë bëhet për sigurim e jo për taksë ndërkohë që thotë se do të vlejë prej datës 1 korrik deri më 31 tetor.
Mazreku po ashtu tha se shpenzimet për këtë polisë nga qeveria mund të arrijnë deri në 6 milionë euro.
“Fillimisht duhet ta sqarojmë se është sigurim jo taksë. Nuk është hera e parë që bëhet kjo marrëveshje. Është nënshkruar edhe me ish-kryeministrin Hoti. Qeveria e Kosovës mbulon polisën vetëm për dy kategori. Për vetura dhe motoçikleta. Nuk mbulohen mjetet transportuese, nuk mbulohen kamionët por vetëm automjetet dhe motoçikletat. Në tetor kam marrë detyrën si ushtrues i detyrës. Kemi parashikuar menjëherë buxhetin. E kemi bërë duke menduar për pandeminë. Si buro në financohemi në dy forma. Kjo marrëveshje do të fillojë me 1 korrik dhe do të përfundojë me 31 tetor. Ne do të japim polisën ku do të shkruajë se kjo polisë do të subvencionohet nga Qeveria e Kosovës. Ne e lëshojmë një faturë në emër të shtetit, ndërkohë që vlera e të gjitha subvencionimeve mund të arrijë deri në 6 milionë euro”, tha ai.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës mori të martën vendim për kryerjen e polisave të sigurimit për mërgimtarët.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati në arsyetimin e këtij vendimi tha se nga 1 korriku Qeveria do ta merr përsipër që të mbulohet ky shpenzim.
“Ky vendim na hap rrugën që së bashku me BQK dhe BSK e marrim përsipër që Qeveria ta mbulojmë këtë pagesë. Mbulimi do të filloj nga 1 korrik. Është një mbulim i përkohshëm. Kosova duhet të gjejë një zgjedhje që të anëtarësohet në Kartonin e Gjelbër”, tha Murati.