Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismaili, ka treguar se një numër i madh i grave shtatzëna në botë janë vaksinuar dhe nuk është vërejtur ndonjë efekt negativ i vaksinës kundër virusit COVID-19.
Sipas tij, në Klinikën Gjinekologjike në repartin e dedikuar për COVID-19 është hospitalizuar një grua shtatzënë, duke shtuar se gjendja e saj është stabile.
“Një numër i madh i grave shtatzëna në botë janë vaksinuar dhe nuk është vërejtur ndonjë efekt negativ i vaksinës. Duke pasur parasysh efektet e Covidit është më mirë të vaksinohen gratë shtatzëna sepse efektet më të mëdha janë për shkak të mos vaksinimit. Rekomandimi është që gratë shtatzëna të vaksinohen. Ka pasur hezitim dhe së fundi ka dalë edhe ministria e Shëndetësisë me rekomandim që gratë shtatzëna që nuk kanë komplikim ose alergji të vaksinohen. Është sëmundje e re dhe nuk kemi pasur ndonjë rast që ndonjë shtatzënë është vaksinuar dhe më vonë është infektuar me Covid-19”, tha Ismaili.
“Në klinikën gjinekologjike në repartin e dedikuar për COVID-19 është hospitalizuar një grua shtatzënë mirëpo ajo ka lindur dhe është në gjendje të mirë shëndetësore. Edhe pse kemi pasur numër të madh të pacienteve të cilat janë trajtuar dhe janë mjekuar, një numër i madh i tyre kanë përfunduar lindjen”.