Drejtori i Policisë, Gamend Hoxha, tha se pret që takimin e javës së ardhshme të Njësive elitare të Policisë me kreun e Qeverisë, Albin Kurti të gjendet një zgjidhje për kërkesat e tyre.
Në një adresim para gazetarëve, i pari i Policisë shtoi se shtesat e policëve duhet të rriten.
Njësia Speciale Intervenuese (NJSI), Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NJTME) dhe njësi tjera të Policisë së Kosovës, kanë pezulluar protestën e paralajmëruar për këtë të martë.
Kjo ngase kryeministri Albin Kurti u ka premtuar se javën e ardhshme do t’i pres në takim zyrtar për të gjetur zgjidhje për kërkesat e tyre.
Kurti dje ka folur për kërkesat dhe protestat e Policisë së Kosovës, e që një e tillë ishte paralajmëruar edhe dje para Qeverisë, por që u pezullua.
Kreu i Qeverisë tha se ai do të takohet me policët dhe se do të shohin se si do të veprojnë më tutje.
“Nuk kam çfarë i shtoj deklarimit tim në kuvend dhe debateve që i kemi zhvilluar në një seancë që u ftua nga opozita, në anën tjetër ne jemi të interesuar që ta zvogëlojmë rrezikshmërinë për policinë tonë, por kjo zvogëlohet pikërisht duke investuar në pajisje dhe mjete të punës. Dallimi në investime sa i për ketë mjeteve të punës dhe pajisjeve të cilat e ulin rrezikshmërinë për Policinë tonë, sivjet është 21 herë më i lartë se sa para dy vite”, tha Kurti dje.
Pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues, njësiti më elitar i Policisë së Kosovës, kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë të Kosovës më 1 nëntor, me kërkesën kryesore që rrezikshmëria në punë të caktohet në 50 për qind të pagës bazë.