Sot u raportua për një rast jo dhe aq të zakonshëm që ka ndodhur në shkollën fillore të mesme të ulët “Motrat Qiriazi” në Prizren, ku dy mësimdhënëse janë përfshirë në një konflikt fizik, me ç’rast njëra nga to ka përfunduar në spital.
Sipas burimeve, Sinjali raportoi se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur mesditën e djeshme në zyrën e drejtorit të shkolles, ku pas një konflikti verbal, njëra arsimtare dyshohet ta ketë shtyrë kolegen e saj duke e rrëzuar në tokë.
Këtë raportim e ka konfirmuar për Sinjalin, drejtori i SHFMU “Motrat Qiriazi”, Sedat Shkurti i cili ishte dëshmitar i rastit.
Shkurti, rrëfen se si ndodhi incidenti brenda hapësirave të institucionit arsimor.
“Ka qenë shtyerje ku njëra mësimdhënëse është shtyer në drejtim të tavolinës ku unë isha i ulur dhe asgjë më tepër. Unë nuk e di arsyen se pse ka ndodhur kjo dhe pse bash në zyrë tek unë. Kam kërkuar raportim nga të dy mësimdhënëset pse e kanë bërë këtë gjest jo etik dhe është lajmëruar menjëherë DKA-ja në Prizren”, u shpreh Shkurti.
Ai shtoi se ky incident është kapur nga kamerat e sigurisë të shkollës.
“Ata (DKA), do t’i marrin hapat e tyre, dhe për këtë rast ekzistojnë incizimet e kamerave të sigurisë se çfarë ka ndodhur”, u shpreh drejtori i shkollës.
Si pasojë incidentit, 38-vjeçarja ka pësuar lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.
Në kuadër të veprimeve hetimore janë marrë dëshmitë e personave të përfshirë në rast, përfshirë edhe drejtorin e shkollës, i cili u intervistua në cilësinë e dëshmitarit.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të iniciohet ‘Lëndim i lehtë trupor’.