Sot nga ora 21:00 në stadiumin “Todor Proeski” do të luhet ndeshja e parë e play – off-it mes FC Shkupit dhe FC Ballkanit në kuadër të Ligës së Konferencës.
Kampioni i Maqedonisë së Veriut dhe kampioni i Kosovës do të luftojnë ‘dhmbë për dhëmbë’ për një vend në fazën e grupeve.
Klubi shqiptar që do ta shkruaj historinë do të dihet në javën e ardhshme më 25 gusht në ndeshjen kthyese që luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Drejtori sportiv i FC Shkupit, Omer Bunjaku në një bisedë për Gazetën Enigma, ka thënë se kjo ndeshje për ta është historike, pasi mund t’i dërgojë në fazën e grupeve të kësaj gare.
“Po, është një ndeshje historike, me një fitore kualifikoheni në grupe, që do të jemi skuadra e parë shqiptare që do të marrim pjesë në grupet e Ligës së Konferencës”, thotë Bunjaku për Gazetën Enigma.
Shkupi janë të përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje dhe e kanë analizuar Ballkanin në çdo detaj, thotë drejtori sportiv i kësaj skuadre.
“Besojmë se jemi të përgatitur mirë dhe e kemi analizuar kundërshtarin në çdo detaj, presim që i gjithë Shkupi të na mbështesë”, shprehet i bindur Bunjaku.
Sipas tij atmosfera brenda klubit është e mirë dhe po e presin me padurim momentin e lojës.
“Atmosfera është shumë e mirë, po presin me padurim momentin kur lojtarët të dalin në fushë”, thotë ai.
Bunjaku shpreh keqardhje se njëri prej dy skuadrave do të mbetet jashtë kësaj gare, por sipas tij, do të shkruhet historia për shqiptarët cilado skuadër që kualifikohet.
“Është për të ardhur keq që një ekip shqiptar do të mbetet jashtë garës, por sido që të jetë, do të jetë histori për shqiptarët, cilado skuadër të kualifikohet. Pa dyshim, këto janë shifrat më të mëdha që do të arrijmë të marrim për klubet e nivelit tonë”, thotë Omer Bunjaku. /GAZETA ENIGMA/