Drejtuesit e ENQA dhe AKA bisedojnë për aplikimin në institucionet evropiane të sigurimit të cilësisë

Drejtuesit e ENQA dhe AKA bisedojnë për aplikimin në institucionet evropiane të sigurimit të cilësisë

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), Naim Gashi dhe zyrtari i lartë Shkelzen Gërxhaliu, kanë zhvilluar një takim me drejtoreshën e Asociacionit Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), Anna Gover dhe menaxherin për vlerësim, Goran Dakovic.

Temë e këtij diskutimi ishte aplikimi i AKA-së për anëtarësim në ENQA. Drejtuesit e ENQA-së kanë vlerësuar punën e AKA-së në adresimin e standardeve evropiane (ESG) për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe zbatimin e rekomandimeve të ENQA nga vlerësimi paraprak.

Drejtuesit e AKA-së dhe ENQA u pajtuan që AKA të aplikojë për vlerësim nga ENQA, për t’i hapur rrugë regjistrimit në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR). Gjithashtu AKA do të aplikojë edhe për anëtarësim si “affiliate member” në ENQA.

Menaxheri për vlerësim i ENQA, Goran Dakovic ka thënë se Agjencia e Kosovës për Akreditim ka bërë shumë për adresimin e ESG-ve dhe rekomandimeve të ENQA. Dakovic ka thënë se AKA ka investuar resurse të konsiderueshme për angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë si vlerësues të jashtëm.

Drejtori i AKA-së, Naim Gashi ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka miratuar Ligjin për AKA- në, i cili tashmë është proceduar për në Kuvendin e Kosovës, dhe se miratimi i këtij ligji garanton pavarësi institucionale dhe financiare, sipas rekomandimeve të ENQA.

Gashi ka thënë se AKA, konform planit dinamik ka zbatuar të gjitha rekomandimet e ENQA dhe po përgatitet për vlerësim nga ky institucion evropian i sigurimit të cilësisë./Gazeta “Enigma”/

Related Articles