Klubi i Drenicës ka mbetur pa kryesi tash e katër ditë, pasi drejtuesit e deritanishëm kanë dhënë dorëheqje për shkak të krizës së madhe financiare që ka kapluar klubin nga Skenderaj.
Ish-kryetari, Mustaf Bajraktari, pas largimit i bëri thirrje donatorëve të rijnë që ta mbështesin klubin dhe ta qojnë Drenicën përpara. Ftesës së Bajraktarit për tri ditë nuk i’u përgjigj askush, por gjatë ditës së diele një gjë e tillë ndodhi.
Kjo pasi një kompani me disa donatorë nga Zvicra kanë shfaqur interesim për ta marrë udhëheqjen e klubit të Drenicës. Lajm e ka konfirmuar trajneri i skuadrës së Drenicës, Tahir Lushtaku.
“Deri para dy ose tri dite nuk ka pasur asnjë interesim, por nga dje interesim ka shfaqë një kompani me disa donatorë të jashtëm. Po mendoj kryesisht nga Zvicra dhe në atë takim që kam pasur unë me një përfaqësues të asaj kompanie, kemi biseduar për situatën e klubit dhe është interesuar se çfarë statusi ka klubi, sa ka obligime e borxhe’, tha fillimisht Lushtaku.
Me pas tekniku drenicas tregoi se drejtuesit e kompanisë së interesuar dëshirojnë privatizimin e klubit. Por për ta bërë një gjë të tillë ata duhet që të merren vesh me komunën e Skenderajt, pasi klubi është në pronësi të komunës.
“Drejtuesit e kësaj kompanie janë të interesuar me privatizu klubin apo me e bë shoqëri aksionare nëse arrijnë me gjetë gjuhë të përbashkët me komunën apo njerëzit kompetent për klubin e Drenicës”, deklaroi Lushtaku.
Për fund Lushtaku theksoi se ka pasur një telefonat me drejtuesit që pritet ta marrin udhëheqjen e komunës së Skenderajt.
‘Ende nuk ka takim zyrtar mes përfaqësuesve të kompanisë së interesuar me komunën, pasi dihet që klubi menaxhohet nga komuna e Skenderajt dhe normalisht ata vendosin për këtë çështje. Gjithashtu kam pasur një bisedë përmes telefonit me drejtuesit që do e marrin udhëheqjen e komunës së shpejti, por ende nuk jemi takuar’, përfundoi Tahir Lushtaku.
Drejtuesit dhe futbollistët e klubit të Drenicës nuk kanë marrë paga që 2 muajt e fundit. Pavarësisht kësaj, Drenica renditet e pesta me 20 pikë të arkëtuara pas 14-të xhirove të zhvilluara.