Drilon Islami pritet të rikthehet në Kosovë vetëm pas dy muajsh në Rumani, te skuadra e CFR Cluj.
Mesfushori kosovar, ish-kapiten i Prishtinës, nuk ka gjetur hapësirë në ekipin rumun dhe nuk ka luajtur asnjë minutë këtë sezon.
Trajneri Dan Petrescu nuk e ka përfshirë në planet e tij, ndërsa skuadra po përballet me probleme të tjera dhe po kërkon përforcime dhe ndryshime në përbërje.
E ardhmja e Islamit duket se do të jetë sërish në Superligën e Kosovës, pasi Ballkani e ka në listën e dëshirave, shkruan mediumi rumun ‘Fanatik.ro’.
Dy klubet kanë marrëveshje shumë të mira mes vete derisa drejtori sportiv i Ballkanit, Nderim Nexhipi, ishte një ndër ata që e çuan Islamin te Cluj, dhe tani po punon për rikthimin e tij në Kosovë.
Islami nuk është më i listuar në faqen zyrtare të CFR Cluj dhe largimi i tij pritet të konfirmohet së shpejti, me Ballkanin favorit për të siguruar shërbimet e tij.
Kthimi i tij në Superligën e Kosovës pritet të jetë një fitore e madhe për klubin nga Suhareka, që do të përforcojë mesfushën për sezonin e ri.
Megjithatë nuk dihet ende nëse do të ketë transferim të përhershëm, apo Islami do t’i bashkohet Ballkanit vetëm si huazim nga CFR Cluj.