Arbnor Muja ka inspiruar Dritën për paraqitjen e madhe evropiane. Skuadra gjilanase fitoi bindshëm, 3:0, ndaj Inter Turkut, për të avancuar në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Ndeshja e kthimit e raundit të parë kualifikues u luajt të martën mbrëma në atmosferë të bukur në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Drita shpërtheu në fillim të ndeshjes dhe në fillim të pjesës së dytë për fitoren bindëse. Drita e kishte humbur 1:0 ndeshjen në Finlandë, javën e kaluar, por me fitoren dhe paraqitjen shumë më bindëse kalon tutje.
Që në minutën e dytë, Muja depërtoi në zonë dhe shtyu topin para. Para tij goditi Marko Simonovski që realizoi për 1:0.
Në fillim të pjesës së dytë gjilanasit i dhanë fund dilemës së fituesit. Në minutën e 49-të Muja mori top në zonë dhe qëlloi shtyllën fillimisht. Por ai ishte i vëmendshëm pas topit të kthyer, për të realizuar për 2:0.
Menjëherë në minutën e 51-të futbollisti mitrovicas realizoi për 3:0. Sërish Muja u shërbye në zonë dhe goditi saktë e bukur për ta dërguar topin në portë.
Skuadra finlandeze ka rrezikuar rrallë, pa testuar seriozisht nënkampionen kosovare.
Drita kishte dominuar edhe në ndeshjen e parë, por finlandezët kishin shfrytëzuar një goditje dënimi për të shënuar golin e fitores.
Të martën në Prishtinë, Drita ka krijuar pesëmbëdhjetë raste për gol, për dallim nga katër sa i kishte Inter Turku. Gjilanasit kanë goditur traversën në fund, ndërsa po e kërkonin golin e katërt.
Gjashtë goditje të Dritës shkuan në kornizë të portës, ndërsa mysafirët i kishin tri.
Drita për herë të katërt paraqitet në gara evropiane. Vazhdimisht e ka kaluar nga të paktën një kundërshtar.
Në fazën e dytë kualifikuese të Ligës së Konferencës, Drita takohet me Antwerpin belg. Ndeshjet luhen më 21 e 28 korrik.