Te Drita insistojnë se nuk janë kapluar nga euforia pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Evropës ndaj Antwerpit të Belgjikës.
Ndonëse konsiderohej autsajdere para ndeshjes që u luajt të enjten mbrëma, Drita pati një paraqitje të mirë në stadiumin “Busoil” duke e mbajtur portën të paprekur.
Me një lojë të disiplinuar, mbrojtje të ngjeshur dhe të fokusuar në kundërsulme, Drita luajti pa gola me Antwerpin duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit.
Kjo ndeshje luhet të enjten e ardhshme në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. E në këtë përballje që është përcaktuese për të kaluar në raundin e tretë, Drita do të futet me përulësi.
Kështu ka insistuar drejtori sportiv i klubit, Valon Zymberi, të premten. Zymeri insistoi se me gjithë barazimin, që vlerësohet si rezultat i madh, te Drita të gjithë po qëndrojnë me “këmbë në tokë”. tha ai për KOHËN.
“Të gjitha ndeshjet që i kemi pasur jo vetëm këtë edicion, por edhe vitet e fundit në Evropë, i kemi marrë me përulësi dhe kemi qëndruar me këmbë në tokë. Kështu që, ngjashëm do të jetë edhe për ndeshjen e kthimit që e kemi në Prishtinë me Antwerpin”, është shprehur Zymberi. “Ne jemi të vetëdijshëm për secilën ndeshje në garat evropiane, pasi nuk ka ndeshje të lehtë.
Duhet pasur parasysh mentalitetin që e kemi krijuar, duke qëndruar me këmbë në tokë është një prej arsyeve që kemi arritur të bëjmë mirë vitet e fundit në Evropë. E rezultati me Antwerpin është dëshmia më e mirë. Po ashtu, e respektojmë secilin kundërshtar evropian dhe në secilën ndeshje futemi me përulësi. Kjo është shumë e rëndësishme për ne”.
Zymeri insiston se Drita në asnjë mënyrë nuk po e merr si punë të kryer kalimin në raundin tjetër pas barazimit në ndeshjen e parë. Ai thotë se e kanë parasysh cilësinë e ekipit belg që, sipas tij, mund të ndëshkojë në çdo moment gjatë ndeshjes.
Pranon se me një angazhim sikurse në ndeshjen e parë dhe me pak sportivitet mund të avancojnë tutje. E nëse Drita eliminon Antwerpin do të shkaktonte sensacion duke pasur parasysh se ekipi që drejtohet nga ish-mesfushori i Holandës, Mark van Bommel, ka në radhët e veta lojtarë si Radja Nainngolan e Toby Alderweireld. Nainngolan ka bërë karrierë te Roma e Interi në Serie A, kundër kapiteni Alderweireld ka luajtur te Tottenhami, Ajaxi, Atletico Madridi dhe është reprezentues i Belgjikës. Sipas tij, Drita është e gatshme ta përballojë presionin për ndeshjen e kthimit.
“Më e rëndësishmja është të qëndrojmë me këmbë të tokë dhe mos ta marrim ndeshjen e kthimit si punë të kryer assesi. Antwerpi është ekip që të ndëshkon në momentin e parë që lirohesh. Shpresojmë të kemi një paraqitje të njëjtë si në ndeshjen e parë dhe të jemi të fokusuar 100 për qind.
Pa dyshim se na pret një punë shumë e vështirë, por jemi të përgatitur si për ngarkesën e ndeshjes ashtu edhe presionin që na pret. Jemi të pjekur si ekip në këtë drejtim”, insistoi Zymberi. “Jemi në rrugën e duhur.
Ne treguam që kemi nivel dhe mund të përballemi me çdo kundërshtar në Evropë. Shpresojmë në kalim tutje pasi gjasat janë reale. Kështu që, edhe me pak fat ne mund ta eliminojmë Antwerpin”.
Nëse kalon tutje, Drita në raundin e tretë do të përballet me fituesin e ndeshjes mes ekipit nga Finlanda, SJK dhe Lillestromit nga Norvegjia. Në duelin e parë të luajtur në Finlandë, Lillestromi triumfoi me rezultatin 1:0. Krahas fatit sportiv, Zymeri për ndeshjen e kthimit me Antwerpit pret edhe përkrahje të madhe nga tifozët. Ai beson se stadiumi “Fadil Vokrri” do të stërmbushet jo vetëm nga “Intelektualët” por të gjithë dashamirët e futbollit.
“Pa diskutim që presim një stadium të stërmbushur, pasi rezultati i ndeshjes së parë flet vetë. Është një mundësi e mirë jo vetëm për tifozët tanë, por të gjithë anembanë Kosovës që të vijnë në stadium, sepse kemi nevojë për përkrahje”, tha Zymberi.
Barazimi me Antwerpin është edhe një rezultat pozitiv i ekipit nga Gjilani, që në edicionin e kaluar të Ligës së Konferencës pati paraqitje dinjitoze ndaj Feyenoordit.
Kishte barazuar 0:0 në Prishtinë dhe ishte mposhtur me mund të madh 3:2 në Roterdam. Feyenoordi arriti deri në finale të Ligës së Konfercencës. Drita në garat e UEFA-s ka debutuar në sezonin 2018/19, kurse është paraqitur edhe në raundin kualifikuese të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës.
Ky është edicioni i katërt i Dritës në Evropë kurse suksesin më të madh e pati në sezonin 2020/21, kur arriti deri në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës, por u eliminua nga Legia e Varshavës.