Ndeshja kryesore e këtij vikendi do të jetë derbi i Anamoravës mes Dritës e Gjilanit, raporton Gazeta Enigma.
Të kaltrit nga Gjilani janë në pozitën e dytë në tabelë me 48 pikë, plot nëntë pikë më shumë se të kuqtë që janë të tretit.
Gjilani është në formë më të mirë në pesë xhirot e fundit, kanë tri fitore, e dy barazime, karshi tri fitoreve, një barazimi e një humbje të Dritës.
Në dy duelet direkte, një i ka takuar Dritës, derisa njëra u mbyll baraz.
Një tjetër derbi luhet këtë fundjavë, Llapi e pret Ballkanin. Suharekasit kanë tri barazime radhazi dhe do kërkojnë fitore që ta ruajnë lidershipin, pasi i rrezikohet.
Më keq se kampionët janë llapjanët që kanë humbur në tri sfidat e fundit.
Si pasojë e këtyre rezultateve negative, ekipi nga Podujeva ka rënë i gjashti në klasifikim. Bilanci mes tyre është i barabartë.
Ekipi i katërt i tabelës, Prishtina këtë vikend e pret Malishevën. Formë tejet e dobët për të dy ekipet në pesë ndeshjet e fundit. Kryeqytetasit kanë një fitore, dy humbje e po aq barazime.
Pak më mirë qëndrojnë malishevasit me një fitore, një humbje e tri barazime. Ata e shohin veten në pozitën e tetë.
Ecurinë më të dobët nga të gjithë skuadrat në pesë sfidat e fundit e ka Drenica, që ka vetëm një fitore dhe tjerat humbje.
Ekipi nga Skenderaj i shkon Dukagjinit që fitoi në mesjavë. Para kësaj fitoreje, as klinasit nuk ishin aspak mirë, morën vetëm një pikë në katër duele.
Të besuarit e Armend Dallkut tashmë gjenden të pestit, kurse drenicasit e mbyllin renditjen.
Përballja e fundit do të jetë mes Trepçës’89 dhe Ferizajt. Ferizajasit janë në formë të mirë në këtë edicion pranveror, kanë tri fitore nga pesë ndeshjet.
Në anën tjetër, 89-shi mori fitore në mesjavë, karshi tri humbjeve e një barazimi.
Mitrovicasit janë të shtatit, derisa ferizajasit të parafundit.
Të gjitha ndeshjet e kësaj fundjave luhen nga ora 13:00.