Drita shënon fitore ndaj Llapit në Merdare

Drita shënon fitore  ndaj Llapit në Merdare

Ashtu siç pritej, ndeshja e javës 11-të Llapi – Drita ishte tejet sfiduese deri në fund, për t’u mbyllur me fitore të merituar të skuadrës mysafire 1:3, shkruan Gazeta Enigma.

Që në start Drita dëshmoi që nuk ka udhëtuar në Merdare sa për të udhëtuar, pasi krijoi avantazhin fillestar përmes Astrit Fazliut 0:1. në minutën 5′ nga pika e bardhë.

E në minutën 34’ Namani shënoi për të dyfishuar epërsinë e skuadrës mysafire, 0:2.

Vetëm një minutë më pas Drita ka mundur lehtë të shtojë epërsinë, por sulmi i skuadrës udhëtuese u tregua i ngathtë para portës vendëse.

Një rast akoma më të mirë pati dyshja Namani-Limani në minutën 41’, kur ky i fundit u gjend ballë për ballë me portierin vendës dhe ironikisht qëlloi pingulen.

E kur pritej që të shkohej në pushim me epërsi prej dy golash, Drita shkaktoi ndërhyrje brenda zonës dhe referi pa u hamendur akordoi penallti, të cilën e shëndërroi në gol Alban Shillova në vazhdim të lojës shtesë.

Pjesa e dytë ishte edhe më atraktive pasi u regjistruan raste të shumta shënimi.

Së pari, në minutën 51’ Alban Shillova dështoi të gjejë portën e boshatisur të Dritës, duke qëlluar traversën nga afërsia. E kur pritej që vendësit të sulmonin më me ngulm dhe me tërë potencialin, Drita shtoi epërsinë përmes Simonoskit në minutën 72’.

I njejti lojtar pati rast tjetër ideal edhe në minutën 76′, por gjuajtja e tij përfundoi pranë pingules së portës vendëse.

Në minutën e 87-të Llapi gjeti golin e dytë me brazilianin Firminio, por që pas rishikimit në VAR goli u anulua për shkak të pozitës jashtë loje.

Kësisoj Drita mori një fitore tejet të madhe në udhëtim te Llapi me rezultat të përgjithshëm 1-3, shkruan Gazeta Enigma.

Related Articles