Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.
Një rast i tillë është zbuluar edhe mbrëmë në Drejkoc të Shtërpcës dhe këtë herë Policia ka gjetur vetëm një sasi të drogës, por jo edhe të dyshuarit. Sinjali mëson se derisa një njësi policore po patrullonte në atë zonë, mbi një kontejner të mbeturinave, ka gjetur tri qese me substancë narkotike, që dyshohet të jetë e llojit marihuanë.
Droga u gjet në afërsi të stacionit të autobusëve dhe nuk dihet se kush e ka lënë apo si ka përfunduar aty. Zyrtarët policorë kanë konfiskuar qeset me marihuanë dhe lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.
Pas përfundimit të proceduarve policore, është iniciuar rasti për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.