Duhanpirësit janë në rrezik më të madh të shtrohen në spital nga COVID

Duhanpirësit janë në rrezik më të madh të shtrohen në spital nga COVID

Duhanpirësit kanë 80 për qind më shumë gjasa të përfundojnë në spital për shkak të efekteve të COVID-19 sesa tek jo-duhanpirësit, dhe kanë shumë më shumë gjasa të vdesin nga efektet e sëmundjes sesa jo duhanpirësit, zbuloi studimi.

Studimi, i kryer nën drejtimin e shkencëtarëve nga Oksfordi, është i pari që analizon të dhënat vëzhguese dhe gjenetike mbi pirjen e duhanit dhe koronavirusin.

Deri më tani, thonë ekspertët, ka pasur të dhëna kontradiktore mbi masën në të cilën pirja e duhanit ndikon në shtrimin në spital për COVID.

412,469 njerëz u përfshinë në studim. Midis tyre, 1,649 njerëz u testuan pozitivë për covid, 968 u shtruan në spital dhe 444 vdiqën.

Shumica, ose 57 për qind e pjesëmarrësve të përgjithshëm të studimit, nuk kishin pirë kurrë duhan, 37 për qind ishin ish-duhanpirës dhe katër për qind e pjesëmarrësve të studimit kishin pirë duhan gjatë studimit.

Midis këtyre të fundit, shumica ose 71 për qind e pjesëmarrësve të studimit ishin duhanpirës të moderuar (deri në 19 cigare në ditë), dhe 29 për qind e mbetur ishin duhanpirës të fortë (20 ose më shumë cigare).

Rezultatet treguan se, në krahasim me ata që nuk kishin pirë duhan, duhanpirësit aktualë kishin një rrezik 80 për qind të shtrimit në spital për covid.

Studimi gjithashtu tregoi se njerëzit që pinë një deri në nëntë cigare kanë dy herë më shumë gjasa të vdesin nga covid sesa jo duhanpirësit, dhe ata që pinë 10 deri në 19 cigare kanë gjashtë herë më shumë gjasa të vdesin. Tek duhanpirësit e rëndë rreziku është edhe më i lartë.

“Rezultatet e studimit mbështesin një lidhje kauzale midis pirjes së duhanit dhe rrezikut të zhvillimit të covid të rëndë”, thanë autorët në një studim të botuar në revistën ‘Thorax’.

“Rezultatet tona sugjerojnë që pirja e duhanit lidhet me rrezikun e zhvillimit të Covid të rëndë ashtu siç ndikon në shëndetin e zemrës, zhvillimin e llojeve të ndryshme të tumoreve dhe të gjitha gjendjeve të tjera që lidhen me pirjen e duhanit”, tha drejtuesi i studimit Dr. Ashley Clift, duke shtuar se “tani do të ishte koha e duhur për të vendosur të lini duhanin”. /Gazeta “Enigma“/

Related Articles