Dukagjini i Klinës e ka mposhtur Feronikelin 74 të shtunën në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, ndonëse mbeti me dy lojtarë më pak në fushë.
Ballafaqimi i xhiros së 13-të ishte dramatik dhe u vendos në minutat e fundit të ndeshjes.
Hekuran Berisha shënoi golin e gjashtë për Dukagjinin në këtë edicion, katër minuta pasi nisi pjesa e dytë.
Në minutën e 74-t, Berisha u ndëshkua me karton të kuq. Në minutën e 81-të, direkt me të kuq u përjashtua nga loja edhe Faton Neziri.
Epërsinë numerike të futbollistëve në fushë, Feronikeli 74 e shfrytëzoi dhe i barazoi shifrat në minutën e 88-të me sulmuesin Nikolaos Ioannidis.
Feronikeli 74 u mundua që të marrë pikët e plota nga ky ballafaqim, por u dënua nga skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi.
Dukagjini shënoi fitoren pas golit të Vitor Hugos, në minutën e 95-të.
Goli i Hugos u pranua pas rishikimit të situatës në VAR, pasi gjyqtari anësor sinjalizoi për pozitë jashtë loje.
“Offside” nuk pati dhe goli i Hugos ia siguroi pikët e plota klinasve.
Dukagjini tani ngjitet në pozitën e gjashtë me 17 pikë.
Feronikeli 74 mbetet në vendin e fundit me tri pikë, nga po aq barazime. Ka edhe dhjetë humbje.
Për Dukagjinin ishte ndeshja e pestë rresht pa disfatë.
Në këtë ecuri pozitive të rezultateve, Dukagjini ka tri fitore e dy barazime.