Kriza në veri të Kosovës ka shkaktuar reagime të shumta në Beograd. Vizita e ambasadorit rus tek njësitë ushtarake nuk ishte e menduar mirë. Serbia do të paguajë faturën.
Tensionet në vendkalimet kufitare (vendkalime administrative, siç i quan pala serbe) Jarinje dhe Bërnjak po vazhdojnë për më shumë se dhjetë ditë me radhë.
Ndërkohë po vazhdon edhe një aktivitet i shtuar diplomatik në trekëndëshin Beograd-Prishtinë-bashkësia ndërkombëtare për të qetësuar gjendjen. Kosova po përpiqet ta paraqesë krizën e fundit si një çështje teknike që lidhet me reciprocitetin rreth targave. Ndërsa në Beograd thuhet se dërgimi i njësisë speciale Rosu në veri paraqet provokim dhe rrezik për serbët e atjeshëm.
Ndërkohë edhe Beogradi ka dërguar njësitë e veta ushtarake, automjete të blinduara dhe helikopterë në afërsi të pikëkalimeve. Ka pasur madje edhe fluturime të avionëve në afërsi të vijës kufitare. Në veri është rritur edhe prania e KFOR-it. E shqetësim për situatën në veri ka shprehur edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Layen, e cila vizitoi (29.09) Kosovën dhe Serbinë.
Lëvizjet e trupave po shoqërohenme retorikën e ashpër të Beogradit zyrtar, e kjo retorikë mund të interpretohet pjesërisht edhe si mburrje boshe e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili i ka vënë ultimatum NATO-s, “se nëse fillon pogromi në Kosovë dhe Metohi dhe nëse NATO nuk reagon, ne do të regaojmë brenda 24 orësh”. Vuçiq thotë se në një takim me ambasadorët perëndimorë, ai “ka kritikuar ashpër një ambasador të një vendi shumë të fuqishëm perëndimor”, për të cilin thotë se e ka pyetur “a është njeri normal dhe a doni të vendosni ju se ku i vendosim ne njësitë tona në territorin e Serbisë qendrore?”.
Por ka pasur edhe disa gjëra të pazakonshme diplomatike, për të cilat nuk ka pasur asnjë shpjegim zyrtar. Presidenti i Serbisë ka takuar ambasadorët e Quintit. Por e ka anuluar takimin me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës. Më pas u njoftua nga zyra e tij se “takimi është shtyrë për shkaqe shëndetësore dhe se presidenti i Serbisë do të takohej paradite me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës”.
Forcimi i sovranitetit
Edhe në këtë rast u dëshmua se për situatën kemi një përgjegjësi të trefishtë, thotë analisti i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, në një deklaratë për Deutsche Welle-n. Ai shton se “edhe këtu kemi të bëjmë me një përpjekje për të forcuar sovranitetin e Kosovës, përmes futjes së reciprocitetit me targat”.
“Brukseli mban përgjegjësinë, sepse nuk ka bërë më shumë për të siguruar lirinë e lëvizjes. Tani po shohim se edhe problemi më i vogël i pazgjidhur ka një potencial të madh për konflikt, kur mbetet në duart e politikanëve të hidhëruar në Beograd dhe Prishtinë”, thotë Jakshiq. Ai “ka frikë se askush nuk do të marrë mësime nga kjo, sepse udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës po i përdorin këto gjëra për të promovuar guximin e tyre personal dhe për të krijuar imazhin e ‘shpëtimtarit’ të popujve të tyre, në veçanti tani kur Kurtin dhe Vuçiqin i presin zgjedhjet”.
Loja e dakorduar
Sikur edhe në disa situata të tjera, edhe tani në Serbi spekulohet, se “kjo është një lojë për të cilën kanë rënë dakord të dy palët”. Por Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për Rajonalizmin, thotë për DW, se “kjo nuk e zvogëlon rrezikun nga mundësia e përshkallëzimit të gjendjes”.
“Sado që Beogradi dhe Prishtina, por edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, mendojnë se po i mbajnë gjërat nën kontroll, vetëm një incident i vogël është i mjaftueshëm për të hyrë në konflikte serioze”, thotë Popov.
Por Popov shton se “me kriza të tilla bashkësia ndërkombëtare gjithmonë zgjidh ndonjë çështje, për të cilën ajo beson se është me rëndësi, dhe atë në dëm të Serbisë. E gjërat kështu po afrohen drejt rrumbullakosjes së shtetësisë së Kosovës. Në fund mund të ketë ndonjë dokument të përgatitur prej tyre, i cili duhet të nënshkruhet”, pohon drejtori i Qendrës për Rajonalizmin.
Si të shpallet fitorja?
Serbia ka dërguar në këtë zonë edhe avionë Mig dhe automjete të blinduara. Por Jakshiq vëren se “Serbia ishte shumë e kujdesshme që të mos shkelë dispozitat e Marrëveshjes së Kumanovës”. Prandaj, ai i sheh deklaratat e presidentit të Serbisë, “si një akt retorik me synim që situata të mos përshkallëzojë më shumë”. “Beogradi dhe Prishtina dërguan mesazhet që donin, e tani pyetja e vetme teknike është, se si të dyja palët do dalin fitues nga kjo situatë dhe të ruajnë fytyrën.”
Serbia dhe vëllai i saj i madh
Kriza aktuale nuk mund të kalonte pa përzierjen e faktorit rus. Pala shqiptare e shfrytëzoi këtë mundësi për të paralajmëruar nga “ndikimi malinj i Rusisë në rajon”. Ndërsa nga Beogradi ka pasur sinjale konfuze. Si një dëshmi e politikës skizofrene të jashtme të Serbisë konsiderohet edhe deklarata e Dragan Shormaz, anëtar i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) dhe shef i delegacionit serb në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, i cili beson se “Rusia po destabilizon të gjithë rajonin”.
“Rusia nuk mund të bëjë asgjë. Kina nuk mund të bëjë asgjë, BE-ja nuk mund të bëjë asgjë dhe kjo po shihet nga dita në ditë. Rasti ynë me krahinën tonë të Kosovës dhe Metohisë nuk mund të zgjidhet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Shteti i vetëm që mund të sjellë rregull në Prishtinë dhe Beograd, pavarësisht nëse i pëlqen dikujt apo jo, është SHBA”, tha Shormaz.
Ky ishte edhe komenti i tij pas paraqitjes së përbashkët të ministrit të Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq me ambasadorin rus në Serbi Alexander Bocan Kharçenko, si dhe të dërguarin rus për mbrojtjen, gjeneral-majorin Alexander Zinçenko, tek një njësi të forcave serbe, në bazën ushtarake “Rudnica”.
“Parada e ministrit të Mbrojtjes së Serbisë me ambasadorin dhe gjeneralin rus më duket si një situatë kur ke problem me dikë, dhe pastaj e sjell vëllanë tënd të madh për të treguar se është dikush që të mbron”, thotë Aleksandar Popov. “Unë mendoj se ajo kishte një karakter pak si karikaturë dhe se kjo më shumë e dëmton sesa e ndihmon Serbinë”, pohon Popov.
Ndërsa Boshko Jakshiq mendon se edhe kjo dëshmon se tek autoritetet në Serbi kemi një rrymë pro-ruse dhe një tjetër pro-perëndimore, por ai paralajmëron se “rryma pro-ruse është në pozicione të rëndësishme”.
“Kur ministri i Mbrojtjes merr ambasadorin rus me vete – e unë jam i bindur që ai e mori ekstra me vete – atëherë kjo nuk është e njëjta gjë sikur kur flet diçka Dragan Shormaz. Unë mendoj se kjo lëvizje nuk ishte e balancuar sa duhet, ishte pa ndonjë takt diplomatik, ishte dritëshkurtër. Kjo vetëm Rusisë i ndihmon që të paraqitet si mbrojtëse e madhe e interesave të Serbisë në Kosovë. Këtë e kanë regjistruar edhe në kryeqytetet perëndimore, të cilat së shpejti do të kërkojnë që Serbia të paguajë faturën”, konstaton Boshko Jakshiq. /DW