Krerët institucionalë në Maqedoninë e Veriut vlerësojnë se Marrëveshja e Ohrit, e nënshkruar më 13 gusht 2001 në mes te shqiptarëve dhe maqedonasve, ka siguruar ardhmërinë e qetë te qytetarëve në ketë vend dhe ka ndihmuar ne zhvillimin e mëtejmë të shtetit.
Dy dekada pas nënshkrimit të saj, Marrëveshja e Ohrit mbetet një prej dokumenteve kryesore për Maqedoninë e Veriut, e cila vlerësohet të ketë dhënë kontribut për zgjidhjen politike të krizës ndëretnike në vendin fqinj.
Në shënimin e 20 vjetorit të kësaj marrëveshje, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Steve Pendarovski tha se pavarësisht kritikave, askush nuk mund te gjejë alternativë më të mirë se Marrëveshja e Ohrit.
Pendarovski: S’kam ndryshuar qëndrim për Marrëveshjen e Ohrit
“Në 20 vitet e fundit, nuk ka pasur asnjë ndryshim në qëndrimin tim për marrëveshjen: domethënë, atëherë dhe sot, unë mendoj se ishte përgjigja më e mirë e mundshme e udhëheqjes politike ndaj sigurisë së brendshme të asaj kohe, kontekstit politik dhe historik. Një argument i fortë në mbështetje të kësaj teze është se edhe atëherë dhe sot, edhe kritikët më të ashpër nuk janë në gjendje të ofrojnë një alternativë tjetër të zbatueshme”, tha Pendarovski.
Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, George Robertson, që ishte në këtë detyrë kur ndodhi marrëveshja, tha se duhet vëmendje e vazhdueshme për themelet që iu vunë shtetit të Maqedonisë së Veriut në atë kohë.
Robertson: Përkushtim i madh për Marrëveshjen e Ohrit
“Te gjithë duhet të jemi falënderues por shumë më tepër sepse kjo marrëveshje nuk ishte dhënë nga ndonjë frymë por nevojitej shumë punë e përkushtuar dhe e vështirë, ende duhet shume punë, ajo nuk ishte fundi po fillimi, ishte fotografi e mrekullueshme e historisë së një vendi, duhet vëmendje konstante për themelet që ju vunë shtetit në atë kohë, dhe çdo herë duhet të forcohen”, tha Robertson.Robertson tha se më 2001 u bë një fund unik i një konflikti, duke vënë firmën në marrëveshje. Megjithatë, ai çoi mesazhin për angazhim për mirëqenien e njerëzve në Maqedoninë e Veriut.