Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, ka deklaruar se periudha e dytë e procesit mësimor ka nisur të hënën me sukses, duke i respektuar masat e caktuara anti-COVID.
Ajo tha se pjesa më e madhe e mësimdhënësve janë të vaksinuar, mirëpo problematike në dy javë para përfundimit të periudhës së parë të procesit mësimor ka qenë gripi sezonal.
“Mësimdhënësit tanimë janë të vaksinuar, mbi 95 për qind e tyre, por kemi një numër të mësimdhënësve që janë të prekur nga variantet dhe koronavirusi. S’është ndonjë numër i lartë, mirëpo po ashtu kemi edhe nxënës që janë të infektuar. Natyrisht, në periudhën e parë kemi pasur informacione se një numër i lartë i nxënësve kanë qenë të prekur nga gripi sezonal. Tani thuhet se ka kaluar gripi sezonal dhe nxënësit janë të pranishëm nëpër shkolla. Në fund të periudhës së parë, më shumë ka pasur të prekur nga gripi sezonal sesa nga koronvirus”, deklaroi ajo.
Shala tutje ka thënë se janë në pritje të draftit të parë të Ligjit të ri të pagave, të cilin do ta shqyrtojnë si Sindikatë se a janë realizuar kërkesat e tyre.
“Kemi premtim nga MASHTI s deri kah shkurti do të jetë i përgatitur drafti, do të kemi mundësi që ta shohim Ligjin, ta diskutojmë, ne do të bëjmë ndërhyrje në Ligjin e pagave. Në ligjin e kaluar ka pasur vërejtje të psikologëve dhe pedagogëve. Do t’i kemi parasysh të gjitha këto që kanë qenë vërejtje e ligjit të kaluar të pagave”, tha tutje nënkryetarja e Sindikatës për KTV, përcjellë Gazeta “Enigma”.
Sivjet, nxënësit e Kosovës do të testohen me testin PISA, e për të cilin Shala tha se mësimdhënësit do t’i përgatisin./Gazeta “Enigma”/