Gjykata Themelore në Gjilan përmes një njoftimi ka deklaruar se dy persona janë dënuar me nga katër vite e gjysmë burgim për veprën penale ‘vjedhje e rëndë’, si dhe me nga një mijë euro.
Në njoftimin e gjykatës thuhet se të akuzuarit I.A. dhe E.H. më 15 nëntor të vitit 2022 kishin hyrë me forcë në shtëpinë e M.I. në fshatin Malishevë të Gjilanit, ku kishin demoluar dhomat e shtëpisë dhe kanë marr një kasafortë nga aty, një armë AK-47, një pushkë gjuetie, një pushkë pumparic, një pushkë karabinë, 15 fishekë të kalibrit 12A, 33 fishekë të kalibrit 9mm dhe 57 fishekë LR.22.
“Të akuzuarit të njëjtën ditë në mënyrë të paautorizuar e në shkelje të ligjit të zbatueshëm për armët kanë tentuar të shesin armët e vjedhura. I akuzuari I. A., në ditën e njëjtë në ora 16:25, në fshatin Malishevë, gjatë kontrollit nga ana e Policisë së Kosovës, të njëjtit i është gjetur lëndë narkotike në sasi 0.62 gram e llojit kokainë”.
“Trupi gjykues pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve të akuzuarin I. A., për veprat penale 1) në bashkëkryerje vjedhje e rëndë, 2) mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, 3) në bashkëkryerje importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse dhe 4) posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, i shqipton dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 4 (katër) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim dhe dënim me gjobë në shumën prej 1.400 Euro”.
“Të akuzuarin E. H., për veprat penale: 1) në bashkëkryerje vjedhje e rëndë, 2) mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe 3) në bashkëkryerje importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse, i shqipton dënim unik në kohëzgjatje prej 4 (katër) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim dhe dënim me gjobë në shumën prej 1.000 Euro”, thuhet në njoftimin e gjykatës./Gazeta Enigma/