Dyshohen për dhunë ndaj tre vjeçarit, paralajmërohet pezullimi nga puna i tri edukatoreve

Dyshohen për dhunë ndaj tre vjeçarit, paralajmërohet pezullimi nga puna i tri edukatoreve

Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Fatlum Berisha është deklaruar lidhur me rastin e ushtrimit të dhunës ndaj një tre vjeçari në një çerdhe në Fushë Kosovë. Bëhet fjalë për çerdhen “Gëzimi Ynë” ndërsa Berisha ka bërë të ditur se edukatoret aktualisht po intervistohen nga policia.

Berisha gjithashtu ka bërë të ditur se edukatoret e dyshuara për rastin ende nuk janë pezulluar nga puna, por ka thënë se do të pezullohen pasi do të respektohet ligji.

“Ligji e përcakton këtë. Nuk i kemi pezulluar në këto momente, por do të pezullohen. Janë duke u intervistuar në këto momente. Patjetër, ne do t’i respektojmë ligjet e Republikës së Kosovës, pikë”, tha Berisha.

Ai ka thënë se organet gjegjëse kanë sekuestruar edhe kamerat e çerdhes, ndërsa ka thënë se pret vendimin final për rastin.

“Janë sekuestruar edhe pajisjet e kamerave, kështu që për hapat në vazhdim do të jemi në koordinim të plotë me policinë e Kosovës dhe inspektoratin. Ju lutem, këtu nuk ka të bëjë me kompetenca të drejtorit, por respektim të ligjit. Ligji është i barabartë për të gjithë, pavarësisht kush është i përfshirë, në momentin që kemi vendim final dhe cilësohet si fajtor, masat do të jenë konform ligjit”, tha Berisha, raporton paparaci.

Ai ka thënë se nuk ka pasur raste të tjera të raportuara për dhunë në këtë çerdhe.

“Jo nuk ka pasur raste të tilla, besoj që po pretendohet se është dhunë, por unë nuk kisha me e quajt dhunë deri në momentin kur vërtetohet prej ekspertëve.”, tha ai.

Berisha ka thënë se nuk mund ta cilësojë dhunë pasi kjo është punë e ekspertëve.

“Nuk jam unë eksperti me cilësu dhunë, unë po i pres organet kompetente, ato dalin me vendimin final dhe na si drejtori do t’i marrim të gjitha masat konform ligjit, por sa i përket dhunës dhe mos dhunës nuk është në verdiktin tim e as të juajin me e cilësu si të tillë”, tha ai.

Related Articles