Dyshohen për korrupsion, por Pal Lekaj dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm

Dyshohen për korrupsion, por Pal Lekaj dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm

Edhe në seancën e rigjykimit, ish-kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj, është deklaruar sërish i pafajshëm për korrupsion.

Të pafajshëm për keqpërdorim detyre janë deklaruar edhe dy ish-zyrtarët komunal, Gani Rama dhe Ismet Isufi. Ndërsa, Veli Hajdaraga është deklaruar i pafajshëm për mashtrim me subvencione.

Këto deklarime, të akuzuarit Lekaj, Rama, Isufi dhe Hajdaraga i bënë të hënën në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Lekaj akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, për kohën sa ka qenë në krye të komunës së Gjakovës.

Bashkë me ish-kryetarin Lekaj, për keqpërdorim të pozitës po akuzohet edhe ish-zyrtarët komunal, Ismet Isufi dhe Gani Rama, ndërsa për mashtrim me subvencione po akuzohet Veli Hajdaraga.

Pas deklarimit të të akuzuarve rreth fajësisë, prokurori Atdhe Dema në fjalën e tij hyrëse tha se aktakuza e Prokurorisë gjen mbështetje të fuqishme në të gjitha provat e propozuara në të.

Sipas prokurorit Dema, kjo aktakuzë vërteton në tërësi veprimet inkriminuese të të akuzuarve dhe ato pikë së pari që lidhen me kohën, vendin dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale.

“Kemi shkresa të lëndës të cilat paraprakisht janë shqyrtuar dhe vlerësuar një nga një në shqyrtimet paraprake, kemi ekspertizat, janë dëgjuar ekspertët pos të ndjerit Q.H, ekspertiza e të cilit është pranuar”, tha ai, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje sipas tij, me këtë aktakuzë në tërësi me provat e propozuara është vërtetuar edhe elementi subjektiv i veprës penale.

Në anën tjetër, mbrotjësi i të akuzuarit Gani Rama, avokati Ndrecë Dodaj, tha se nuk e di a e di prokurori se jemi në rigjykim.

“Gjykata i ka vërtetuar të gjitha gabim, se dëgjova që gjykata ka vërtetu, ka vërtetu, gjykata në fakt ka vërtetuar gabimisht dhe me këtë aktgjykim të Apelit kemi pritë që ka me heq dorë për Gani Ramën.”, tha avokati Dodaj.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Pal Lekaj, avokati Arianit Koci tha se ky proces gjyqësor është rast tipik se si një person mund të futet në baltën e labirinteve juridike.

“Prokuroria në fjalën hyrëse thotë se nuk do ta bëjë analizën e provave, por se aktakuza është vërtetuar nga kjo gjykatë. Kjo është e pasaktë për shkak se aktakuza vërtetohet vetëm atëherë kur e vërteton gjykata e shkallës së dytë”, tha avokati Koci.

Po ashtu, avokati Koci tha se ky proces gjyqësor është rast tipik se si një person mund të futet në baltën e labirinteve juridike nga hetuesi apo edhe prokurori i mëhershëm për motive të panjohura, duke shtuar se për klientin e tij, janë motive të pastra politike.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Ismet Isufi, tha se sipas provave është arritur parashkrimi absolut, pasi që sipas tij veprimi i fundit është ndërmarrë më 15 nëntor 2010 dhe tani jemi më 8 nëntor 2021, e që sipas tij përveç që nuk ka elemente të përgjegjësisë penale kjo çështje ka parashkrim absolut.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Veli Hajdaraga, avokati Agim Muhaxhiri tha se aktakuza që e ngarkon të mbrojturin e tij me mashtrim me subvencione është e paqëndrushme.

Në këtë seancë, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Shaqir Zika, ka marrë vendim që të lexohen deklaratat e dëshmitarëve të dhëna në shqyrtimin paraprak, ndërsa ka vendosur që t’i ftojë në seancën e radhës grupin e ekspertëve të Fakuletit Ekonomik të Univeristetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. /Gazeta Enigma.

Related Articles