Dyshohet se administrata Trump ka përgjuar telefonatat e një gazetare të CNN-it

Dyshohet se administrata Trump ka përgjuar telefonatat e një gazetare të CNN-it

Departamenti i Drejtësisë i administratës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump, kishte regjistruar në mënyrë sekrete gjatë vitit 2017 thirrjet telefonike të një gazetareje të agjencisë CNN, me qëllim të identifikimit të burimeve të saja.

Agjencia CNN ka konfirmuar rastin si vazhdimësi e publikimeve të mediave se gazetarët kanë qenë cak i përgjimeve të administratës së mëparshme.

Zbardhja e përgjimeve të korrespondentit të CNN-it u bë vetëm dy javë pasi gazeta “Washington Post” konfirmoi se Departamenti i Drejtësisë kishte regjistruar vitin e shkuar thirrjet telefonike të tre gazetarëve të saj që mbulonin hetimet ndaj Rusisë.

CNN-i ka bërë të ditur se Departamenti i Drejtësisë kishte informuar korrespondenten në Pentagon, Barbara Starr, se i ishin marrë të dhënat nga telefonatat dhe emailat e shkëmbyer në periudhën mes 1 qershorit dhe 31 korrikut të vitit 2017.

Agjencia ka dënuar ashpër mbledhjen sekrete të komunikimeve të gazetarëve, gjë kjo që është e ndëshkueshme me Amendamentin e Parë të Kushtetutës amerikane.

Departamenti i Drejtësisë ka konfirmuar se regjistrimet ishin kërkuar zyrtarisht më 2020, porse nuk ka zbuluar gjë lidhur me hetimet apo për shkrimin përkatës.

CNN ka specifikuar se periudha dymujore kur ishte bërë mbledhja e të dhënave ka përfshirë raportimet e gazetares Starr rreth Sirisë, Afganistanit dhe opsioneve ushtarake në Korenë Veriore, që i janë prezantuar ish-presidentit Trump.

Related Articles