Kryetari i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas votimit nga Vetëvendosje mandatar i Qeverisë, ka mbajtur fjalim para Këshillit të Përgjithshëm, ku një ndër temat që preku ishte edhe raporti me Serbinë.
Kryeministri në detyrë tha se presidenti serb Aleksander Vuçiq e ka akuzuar se gjoja po organizon protestat kundër tij në Serbi.
“Së fundmi Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, më kishte akuzuar mua se unë po ia organizoj protestat atje, se ato po bëhen nga ne. Kështu ndodh me të gjithë ata diktatorë që janë shkëputur nga populli i tyre, të cilin e shtypin e shfrytëzojnë dhe nuk i besojnë,” deklaroi Kurti.
Ndërkohë, Serbia po përballet me një situatë të tensionuar politike dhe shoqërore.
Çdo ditë raportohen raste të dhunës policore ndaj protestuesve, arrestime dhe akuza se qeveria serbe po përdor edhe banda kriminale kundër qytetarëve të vet.
Protestat kanë nisur pas shembjes së një tende në stacionin e trenit në Novi Sad në nëntor të vitit 2024, ku humbën jetën 16 persona.
Ato fillimisht ishin paqësore, por ditëve të fundit janë shoqëruar me përshkallëzim dhune në Beograd dhe qytete të tjera të Serbisë.