Vajza e cila u gjet pa shenja jete paraditen e sotme në qytetin e Durrësit, saktësisht poshtë urës së “Dajlanit”, dyshohet të jetë vrarë.
Burime nga policia thanë për ABC News, se gjatë kqyerjes që i është bërë trupit të viktimës, janë konstatuar dëmtime në pjesë të ndryshme.
Mësohet se vajza është gjetur e zhveshur, ndërsa grupi hetimor ka dyshime se me të është abuzuar seksualisht.
Ura e “Dajlanit” në Durrës prej më shumë se dy dekadash është kthyer në një vend ku vajza nga qytete të ndryshme të vendit përfshirë edhe Durrësin “shesin trupin” e tyre për shuma të ndryshme parash.
Një prej tyre dyshohet se është edhe vajza e gjetur sot në këmbët e urës në hyrje të qytetit bregdetar.
Për momentin viktima nuk është identifikuar pasi nuk ka pasur me vete asnjë mjet identifikimi. Ndërkohë mjekësia ligjore po punon për të përcaktuar shkakun e vdekjes së saj, orën dhe vendin, pasi ka dyshime se mund të jetë vrarë në një vend tjetër.
Policia nuk përjashton faktin që vajza të ketë bërë sherr me vajzat e tjera ose me tutorët e tyre dhe mund të jetë goditur nga këta të fundit.