Dy javë më parë F.S., dyshohet se ka privuar nga jeta motrën e saj T.S., në shtëpinë e tyre në Vragoli të Fushë Kosovës. Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarës F.S., ndërsa e njëjta dyshohet se ka probleme mendore. Për këtë, prokuroria kishte propozuar edhe ekzaminim psikiatrik.
F.S., dyshohet për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”, ndërsa gjykata kishte njoftuar se e njëjta dyshohet se fillimisht ka rrahur motrën e saj, më pas viktimën e ka ngufatur me duar dhe me shami të cilën ia kishte lidhur rreth fytit.
Gazeta Express ka siguruar deklaratën e F.S., dhënë në seancën e mbajtur për caktimin e masës së paraburgimit, përmes së cilës zbulohet edhe motivi, që dyshohet se e shtyri drejt vrasjes.
E dyshuara F.S., ka deklaruar se motra e saj, tashmë e ndjerë i ka nxitur problemet brenda familjes, teksa pohon se e njëjta ka sulmuar fizikisht nënën e saj.
Ajo motrën e përshkruar si “gjarpër”, duke shtuar se e ka kërcënuar se vazhdimisht të dyshuarën me fjalët se “do ta mbys”.
E dyshuara deklaron se është e pafajshme dhe dëshira e saj ka qenë që të mos i nxjerr probleme familjes.
“Jam plotësisht e pafajshme pasi të gjitha problemet i ka shkaktuar motra ime T.S.,. Çdo herë i ka shkaktuar familjes, nënës sime, çdo herë e ka rrah nënën, mundem me thanë se është si gjarpër dhe e cila më thoshte se mu nuk më njeh askush. Pasi që i ndërroj taktikat dhe gjithmonë më është drejtuar me fjalët se “kam me të mbytë”, më thoshte se e urren familjen, e urren vëllain tim dhe të gjithë i urrej. Ajo bën edhe keq dhe asnjëherë nuk pendohet për veprimet e veta, mua shumë herë më ka bërë keq dhe ajo është e vetmja që ka shkaktuar probleme, ndërsa kjo nuk është vërtetuar nga familja dhe mua vetëm mua më rrehin për këto probleme. Unë gjithmonë kam dashur me jetu vetë, mirëpo asnjëherë nuk më kanë lënë, pasi dëshira ime ka qenë që të martohem dhe të mos i nxjerri probleme familjes sepse ata vetëm janë rreh mes vete”, ka deklaruar e F.S., transmeton Gazeta Express.
Çfarë tha Gjykata në njoftimin për caktimin e paraburgimit ndaj saj?
“E pandehura F.S. dyshohet se me datë 09.05.2021, rreth orës 11:30 në shtëpinë familjare në Fushë Kosovë, në shtratin e dhomës së gjumit, me qëllim që ta privoj nga jeta, kishte sulmuar fizikisht motrën e saj, tani të ndjerën T.S. për të cilën dyshohet se e ka ngulfatur me duar dhe me shami të cilën ia kishte lidhur rreth fytit dhe e ndjera si pasojë e kësaj gjendje kishte ndërruar jetë”.